Me çanta që peshojnë mbi 5 kilogramë, të paktën 60 nxënës shqiptarë nga lagja Inxhikovë e Shkupit ecin në këmbë mbi 3 kilometra për të ndjekur mësimet në shkollën fillore “25 Maji” në Hasanbeg pasi autoritetet nuk kanë siguruar transport për ta. Ekipi i Alsat-M përshkoi bashkë me nxënësit rrugën që bëjnë çdo ditë për të parë vështirësitë e tyre. Rruga drejt shkollës është përplot gropa të hapura, e paasfaltuar dhe e mbushur me baltë. Ndërsa shqetësim më të madh përbën prezenca e qenve endacak.
“Çdo herë nisemi nga ora 11 e 30 dhe kalon shumë kohë duke shkuar, më shumë se 40 minuta. Frikohemi shumë nga qentë, ka shumë qen endacak. Dëshirojmë edhe ne të kemi transport, të udhëtojmë si shokët tjerë”.
“Në mëngjes nisemi në ora gjashtë. Çdo herë shkojmë vet. Frikohemi mos të dal ndonjë qen ose kafshë tjetër”.
“Shumë rëndë, rruga krejt baltë e gropa. Rrugën e bëjmë rreth 50 minuta. Kur të kthehemi bëhet natë, rrugës ka qenë”.
Të shqetësuar për fatin e fëmijëve të tyre, prindërit e nxënësve me vite kërkojnë ndihmën e shtetit për zgjidhjen e kësaj situate.
Sa e di unë fëmijët që kalojnë mbi 2.5 kilometra duhet tu sigurohet transport, kur ministria e shkel ligjin atëherë çka pret prej popullatës tjetër. Mundohemi që çdo ditë ti dërgojmë me makina, po e shihni se rruga është krejt baltë, ata po lagen, kur po kthehen janë shumë të lodhur, nuk janë në gjendje të mësojnë.
“Çdo herë kur ka shi ose borë ne i dërgojmë me makina sepse ata nuk mund të shkojnë në këmbë, rruga nuk bën hiç, krejt është gropa gropa, ka qenë të egër”. Drejtori i shkollës “25 Maji”, thotë se Komuna e Gazi Babës ka refuzuar të gjitha kërkesat e tij
për zgjidhjen e problemit.
“Sinqerisht të them, matja është bërë prej pikës ku është stacioni i fundit i autobusit me numër 65 që është për në Inxhikovë, por kemi fëmijë që është më largë se dy kilometra, lagjet e ndryshme të shqiptarëve tash kanë dal më larg dhe aty ka mbi 2.5 kilometra. Edhe vet
kemi bërë matjen me vetura, mirëpo është ligji i atillë që thotë prej pikës ku bëhet qarkullimi i autobusëve dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë në këtë aspekt”, tha Fadil Murtezani, drejtor i sh.f “25 Maji”
Përveç nxënësve të Inxhikovës, me të njëjtin problem përballen edhe nxënësit e Kamenikut që gjithashtu kalojnë në këmbë nga 3 kilometra në ditë për të ndjekur mësimin në shkollën fillore “25 Maji” në Hasanbeg.