Lumnije Thaçi, bashkëshortja e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka folur për herë të parë pas lajmit për zgjedhjen e saj si Prodekane në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”.

Thaçi u zgjodh në këtë pozitë me propozimin e Dekanit të këtij fakulteti, Hakif Zeqiri, i cili propozim kaloi në Këshillin e Fakultetit dhe më pas në Senat.

Thaçi tha në fillim nuk kishte pasur dëshirë të pranonte këtë pozitë.

“Ka qenë kërkesë e Dekanit pasi ka qenë vakante kjo pozitë për shkak të numrit të studentëve të shumtë. Kam qenë e detyruar, jo me pëlqimin tim, nuk e kam marrë me pëlqimin tim për shkak të angazhimit shumë të madh që e kemi me ligjërata, mirëpo e kam parë të arsyeshme, pasi jam pjesë e stafit të jem e angazhuar edhe në këtë drejtim”, tha Thaçi, për Kallxo.com.