Rreth 8000 fëmijë në Maqedoni janë në listën për pritje për regjistrim nëpër çerdhe. Kështu thonë të dhënat me të cilat disponon Ministria për Punë dhe Politika Sociale (MPPS).

Prindërit e rinj përballen me problemin e regjistrimit, dhe për këtë, ata presin edhe deri një vit, për të siguruar një vend për fëmijën e tyre.

Ky problem shfaqet për shkak të mungesës së çerdheve ose për shkak të kapacitetit të pamjaftueshëm që e kanë. Kjo mund të tejkalohet me zgjerimin e çerdheve ekzistuese, apo me ndërtimin dhe hapjen e të rejave.

Në fund të prillit, në 66 çerdhe shtetërore në 55 komuna, janë regjistruar gjithsej 36 mijë fëmijë. Sipas paralajmërimeve, çerdhet e reja duhet të ndërtohen me para të Bankës Botërore.

Në lidhje me këtë, ministri i Financave, Dragan Tevdovski thotë se një nga projektet më të rëndësishme është ndihma prej 35 milionë dollarëve nga kjo bankë, për hapjen e çerdheve të reja dhe rinovimin e atyre ekzistuese.

Ndërsa vetë MPPS-ja ka ndarë rreth 41.6 milionë denarë (rreth 700 mijë euro), për ndërtimin, përshtatjen dhe përgatitjen e çerdheve për fëmijë.