Shkrimtari Kim Mehmeti ka goditur përmes një postimi leninistët të cilët me votën tonë në vend se t’i mbrojnë shqiptarët nga e keqja, po e mbrojnë të keqen prej nesh. Duke ilustruar postimin me një fotografi që pasqyron nënçmimin që ua bëri policia nënave dhe vajzave shqiptare, Mehmeti është shprehur i habitur nga tendencat e partisë në pushtet, që spiunimin ta sheshin si atdhetarizëm.

mehm

“Raportohet se javorja maqedonase ‘Fokus’ ka publikuar të dhënë trishtuese për përgjimet telefonike që u janë bërë të akuzuarve dhe të dënuarve për rastin ‘Monstra’, gjë që të çon të dyshosh se çdo gjë e ka kurdisur regjimi DPMNE-BDI! Çudi si ne shqiptarët e Maqedonisë nuk ia dolëm të kemi përfaqësues që do na mbrojnë nga e keqja dhe i keqi, e jo të këtillë siç janë këta leninistët në krye të BDI’së, të cilët të keqen dhe të keqin e mbrojnë nga ne! Dhe do mbetet për t’u analizuar rrugëtimi ynë politik që nga një PDSH-ja, që merrej me dosjet e spiunëve të ‘gjetura’ nëpër oborret e aktivistëve të saj, e deri te një BDI, ‘atdhetarët’ e së cilës shkuan edhe më përtej dhe janë duke u marrë edhe me ‘spiunët’ e ndjerë! Unë edhe mund t’i pranoj të gjitha monstruozitetet që i pohojnë për mua portalet e BDI’së, madje edhe atë se jam ‘spiun dhe i biri i kryespiunit’, por edhe si i tillë, habitem me pafytyrësinë e të vetëshpallurve më ‘shkije se shkijet’, të cilët merren me ne, por pa e fshehur bashkëpunimin e tyre me ‘mijallkovët’ që burgosën, dhunuan e përbuzën çdo gjë shqiptare! Pra habitem si është e mundur që – për dallim nga dikur kur spiunimi mbahej si diçka më qyqare dhe më e turpshme që mund ta bëjë njeriu, për çka edhe bëhej fshehurazi – kjo bëmë sot të merr dimensionin që ia dhanë drejtuesit e BDI’së: të jetë veprimtari legjitime politike dhe atdhetare!? Dhe ja, kjo është arsye shtesë pse qëndroj pranë të rinjve të Lëvizjes BESA, nga të cilët pres ta mbrojnë popullin nga e keqja dhe të mos lejojnë partia e tyre të përfundojë si BDI’ja: të bëhet si ‘stacion policor,’ e ku drejtuesit e saj, si kryepolicë të shkollës leniniste e enveriste, i kompletojnë listat e shqiptarëve që duhet burgosur e ndëshkuar!”, ka shkruar Mehmeti, njëri nga kritikët më të zëshëm të “vëllazërisë” VMRO-BDI.