Avokati i Popullit Ixhet Memeti tha se Komisioni Shtetëror Zgjedhor, nuk ka arritur të organizoj procesin e zgjedhjeve në nivelin e duhur, pasi që numri i votuesve fantom apo adresa e qytetareve që nuk përkon me vendbanimin e tyre, është i madh. Avokati i popullit thotë se KSHZ është ende e varur nga MPB, edhe pse kjo e fundit me vendim ka anuluar adresat e banimit që faktikisht nuk jetojnë aty, por akoma gjenden në listat zgjedhore.

 

“Nuk kanë forcë apo guxim që KSHZ-ja të kërkoj nga MPB-ja që të përshpejtohen procedurat administrative, për shkak se këta të fundit presin ankesa. Si mund të pritet ankesë nga personat që nuk ekzistojnë ose nga ata që nuk janë në dijeni. Për këtë ne vlerësojmë se ka edhe mënyra tjera, si shpallje e të tjerë, që vendimet të bëhen të plotfuqishme ose të pastrohen listat që të hiqet mosbesimi i qytetarëve që në ato lista zgjedhore ka votues fantom”, u shpreh Ixhet Memeti, avokat i popullit.

Nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut për TV21 thonë se trysnia e shtetit ndaj sektorit civil është shtuar në periudhën e zgjedhjeve, ku në mesin e 19 organizatave joqeveritare edhe ky institucion iu është nënshtruar kontrollit financiar të Drejtorisë së të Ardhurave Publike.

Uranija Pirovska, nga Komiteti i Helsinkit porosit që shteti të heqë dorë nga puna e pavarur e Avokatit të Popullit, ku sipas vëzhgimeve të këtij komiteti, thuhet se organet e drejtësisë nuk i marrin parasysh vërejtjet e Avokatit të Popullit. Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, nga 4.000 ankesat e parashtruara nga ky institucion, një pjesë e vogël e tyre janë marrë parasysh apo janë zbatuar nga institucionet e tjera./Telegrafi/