Këshilli i programor i Radio Televizionit të Maqedonisë ka emëruar kryetar të ri, informuan nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM). Në seancën e fundit para festave të fundvitit, Këshilli e shkarkoi kryetaren e deritanishme, Snezhana Klinçarova, ndërsa në vendin e saj e zgjodhën Smillka Janeska-Sarkanjac.

“Profesoresha e Fakultetit të shkencave informatike dhe inxhinierisë kompjuterike, Janeska-Sarkanjac është anëtare e Këshillit e propozuar nga konferenca ndër-universitare. Pas emërimit të Sarkanjac, kryetarja e deritanishme Klinçarova në shenjë revolte ka paralajmëruar dorëheqje nga anëtarësia e Këshillit programor”, thuhet në kumtesën e SHGM-së.

Nga SHGM-ja shtojnë se është i shkarkuar edhe zëvendës kryetari i deritanishëm i Këshillit, Agim Leka, ndërsa në vendin e tij është vendosur anëtari i Këshillit, i propozuar nga SHGM-ja dhe njëkohësisht kryeredaktor i gazetës ditore Koha, Vedat Memedaliu./Telegrafi