Nesër vazhdon koordinimi për Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve

Nesër në mesditë duhet të vazhdojë takimi i sotëm koordinues i përfaqësuesve të grupeve parlamentare për konfirmimin e propozimit për krijimin e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, që është parakusht për caktim të vazhdimit të seancës konstituive kuvendore.
Nga shërbimet kuvendore informojnë se përfaqësuesit e grupeve parlamentare pas marrëveshjes për numrin e anëtarëve, me të cilët do të përfaqësohen në Komision, ende nuk kanë arritur marrëveshje për kryetar të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve. Paraprakisht, është dakorduar që VMRO-DPME të ketë gjashtë anëtarë, LSDM-ja pesë, BDI-ja dhe BESA të përfaqësohen me nga një anëtar.
Sipas Rregullores së Kuvendit, Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve zgjedhet në seancë konstituive të Parlamentit me propozim të të paktën 10 deputetëve, ndërsa përbërja e saj duhet të sigurojë përfaqësim adekuat të deputetëve nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend. Ky Komision ose të paktën 20 deputetë mund të propozojnë kandidat për kryetar të Kuvendit, ndërsa propozues mund të jetë edhe ndonjë deputet.
Seanca konstituive e Kuvendit filloi më 30 dhjetor të vitit 2016, por u ndërpre duke pasur parasysh se nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të shtëpisë ligjdhënëse.