Një grua në Brazil është arrestuar nën dyshimin se ka tentuar ta mbyt të ëmën e saj në një shtrat të spitalit.

Lusiana Paula Figeredo, 32-vjeçe, është filmuar se si me dorë ia mbyll gojën Ana Benedite Figeredo, 68-vjeçe, duke tentuar ta ngufat.

Videoja rrëqethëse siç raportojnë mediat lokale, është filmuar nga një pacient tjetër dhe në të shihet se si vajza ia mbyll të ëmës gojën me dorë dhe çarçaf, derisa e moshuara tenton të ngrit dorën dhe të mbrohet.

Megjithatë Lusiana nuk ia arriti qëllimit dhe u tërhoq nga misioni i saj. Por ky veprim i kushtoi shtrenjtë, pasi u arrestua nga policia në vend të ngjarjes, derisa e ëma është dërguar në repartin e kujdesit intensiv.

Kujtojmë që kjo nënë ishte pranuar në spital gjatë 19 janarit për shkak të problemeve shëndetësore që kishte në mushkëri, e videoja është filmuar pak ditë para fundit të muajit janar.

Bazuar në hetimet preliminare, policia ka bërë të ditur se vajza kishte vendosur në këtë mënyrë ta “heq qafe” të ëmën, pasi nuk mundte më ta shikonte në këtë gjendje nënën e saj të sëmurë.

Gjithashtu është duke u hetuar nëse Lusiana ka tentuar në mënyra tjera ta mbyt të ëmën, pasi në çantën e Anas është gjetur një shiringë.