Në shekullin 21, fëmijët shqiptarë në Maqedoni nuk kanë godina për të mësuar gjuhën e tyre amtare. Derisa partitë shqiptare flasin për arritje të mëdha dhe rezultate, nxënësit shqiptarë mësojnë dhe edukohen në gjuhë të huaj.

Gazetari i shqiptar, Nazif Zejnullahu thotë se, asimilimi po ndodhë paradoksalisht në kohën kur drejtues të ministrisë së arsimit kemi një kuadër shqiptar.

“Pishtar (Lutfiu) quhej ministri i Arsimit i Maqedonisë?! Po, Pishtar i asimilimit të pakicës së vërtetë shqiptare (përveç tjerash, i nxënësve të shkollës fillore në fshatin Banjicë, rrethina e Velesit; komuna e Çashkës)…”, shprehet ai.

Rasti i nxënësve të Banjicës ka alarmuar edhe Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), të cilët nuk shfajësojnë aspak ministrinë e arsimit përkundrazi shprehen të prerë se i gjithë faji bie pikërisht mbi këtë dikaster. Ndërkohë që ironia të jetë edhe më e madhe sipas LASH-it kjo ministri viteve të fundit udhëhiqet nga kuadro shqiptarë. Kreu i LASH-it Nuhi Dardhishta u shpreh se me këtë rast shkelen rëndë të drejtave e njeriut, fëmijëve dhe ligjit për arsim fillor. Sipas tij kjo ka edhe një prapavijë, asimilimin e shqiptarëve.

Ndërkohë ish zv/ ministri i Arsimit Hasan Jashari theksoi rasti i fundit në Çashkë dëshmon se në 10 vitet e fundit arsimin në gjuhën shqipe në Maqedoni nuk e udhëheq askush, andaj edhe kërkoi dorëheqjen shqiptarëve në dikasterin e arsimit, përfshi edhe vet ministrin.

12 fëmijë shqiptarë të fshatit Banjicë janë të detyruar që arsimin fillor ta kryejnë në gjuhën maqedonase në shkollën fillore “Todor Janev” në Çashkë, për shkak se në fshatin e tyre nuk ka shkollë fillore. Përveç alfabetit cirilik fëmijët shqiptarë nuk kanë mësuar thuajse asnjë shkronjë nga alfabeti i gjuhës shqipe. (INA)