Policia financiare hodhi poshtë pretendimet e Kreut të Gostivarit Nevzat Bejta se kontrollet kanë prapavijë politike. Sipas kësaj drejtorie ndërhyrja në Komunë është bërë me urdhëresë të Prokurorisë Publike për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

  Kontrollet janë bërë për shkak të dyshimeve për “keqpërdorim të detyrës zyrtare – thonë nga Drejtoria e policisë financiare.

Nga Prokuroria Publike nuk japin detaje për hetimin. Sipas analistit Albert Musliu kjo praktikë deri më tani është dëshmuar disa herë dhe ka mundësi të përsëritet edhe në të ardhmen.

 Unë nuk pashë ndonjë shqetësim tek kryetari i Gostivarit për atë kontroll, mirëpo kjo tregon tendencën për një formë presioni që sipas meje është e gabueshme pikërisht tani në fazën e negociatave. Ky veprim mund vetëm të gjenerojë qëndrime edhe më negative se sa ndonjë frymë apo lëshim eventual në procesin e negociatave – tha analist Albert Musliu.

Kontrollet e policisë financiare në Komunën e Gostivarit jozyrtarisht kanë për qëllim hetimin e projektit për asfaltimin e një rruge në fshatin Tumçevishtë, projekt ky i cili ka përfunduar para dy viteve dhe kap vlerën e rreth 80 mijë eurove. Kreu i Gostivarit, tha se në kontrollet e para nuk është evidentuar asnjë shkelje, as gjatë prokurimit publik dhe as gjatë përmbarimit të projektit. Bejta u shpreh i bindur se pas kontrolleve të policisë financiare qëndron VMRO-DPMNE-ja.

  Le të kontrollojnë, nuk është bërë asnjë gabim, mund t’i kontrollojnë të gjitha institucionet e Gostivarit, për periudhën e shkuar ne kemi punuar në përputhshmëri me ligjin. Neve si shqiptarë gjithnjë na kontrollojnë. Kur bëjnë gabime të mëdha dhe për t’i mbuluar gabimet e tyre na fajësojnë neve – tha dje Nevzat Bejta, krytar i komunës së Gostivarit.

Në partinë e Gruevskit thonë se nuk janë në dijeni për një kontroll të tillë.

  VMRO-DPMNE nuk posedon asnjë informacion mbi kontrollet të cilat i bëjë institucionet shtetërore. Për detaje ju sugjerojmë të drejtoheni tek institucionet kompetente – bëjnë me dije nga VMRO-DPMNE-ja.

Ditë më parë kreu i Gostivarit Nevzat Bejta deklaroi se shqiptarët nuk duan koalicion me VMRO-DPMNE-së e Nikolla Gruevskit. Por ky i fundit në intervistë për të përditshmen “Dnevnik” kishte potencuar se Bejta është njëri nga zyrtarët e BDI-së i cili admiron në mënyrë të veçantë Gruevskin dhe punët e tij.

Adrian Kerimi

AlbPortali: ALSAT