Ata që votojnë do të duhej ta dine se në politikë jo gjithçka që flitet realizohet, kurse më së paku ata që pretendojnë të bëhen President. Por, në anën tjetër, të gjithë duhet të votojnë sipas bindjeve të tyre, sepse vetëm në këtë mënyrë i prishin skemat që paraprakisht i vendos politika pa etikë dhe me shumë matematikë

Nga Emin AZEMI

Të gjithë ata që e kanë ndërmend të votojnë në zgjedhjet presidenciale të 21 prillit, do të duhej paraprakisht të ripërkufizojnë disa çështje terminologjike, si një kthjellim jo vetëm gramatikor, por edhe semantik, për të kuptuar pastaj më mirë se ku buron kuptimi i disa fjalëve me të cilat aq shumë operohet në këtë fushatë zgjedhore.
Parasegjithash do të duhej eliminuar të gjitha dilemat dhe konfuzitetet që prodhohen pa nevojë rreth kandidaturave, duke iu ndajshtuar atyre atribute të qena e të paqena.
Teknikisht dhe procedurialisht çdo njëri prej kandidatëve e sheh veten President të ardhshëm dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Legjitimiteti për të qenë kandidat presidencial nuk duhet domosdoshmërisht të ketë ndonjë arsyetim të fortë logjik apo etik. Nëse politikisht është gjithçka në rregull, fushata mund të bëhet edhe pa pasur nevojë të konsultohet ndonjë literature shtesë nga shkencat e edukimit, kurse akëcili kandidat e konsideron veten të denjë se i plotëson disa nga parametrat e domosdoshëm për të qenë baba (ose mama) i kombit

Por, janë disa probleme të tjera që e bëjnë garën interesante për nga ekskluziviteti i naivitetit që plasohet aty këtu. Së pari, secili prej kandidatëve presidencial para mbështetësve flet sikur do të zgjidhej kryeministër i vendit. Njëri angazhohet për frenimin e ikjes së të rinjve jashtë, tjera përgatitet për gjykatat ndërkombëtare ku mendon se do t’i korrigjoj padrejtësitë që i janë bërë gjoja atdheut të saj të dashur, kurse tjetri flet për reforma në gjyqësor, për zbutje të varfërisë, për integrime euro-atlantike etj. etj.
Problemi tjetër qëndron në faktin se të gjithë hiqen sit ë pavarur, kurse çdo njëri prej tyre e ka një ‘amëz’ partiake prej ku buron mbështetja politike. Në rrethana të tilla etika ia lëshon vendin politikës dhe të gjithë ata që mundohen ta prezantojnë veten si individë me pavarësi kristalore, nuk i bëjnë mirë shëndetit moral të politikës, për të cilën aq shumë ata angazhohen.

Me fjalë të tjera, gjithkush që në këto zgjedhje mundohet të kamuflojë politikën me floskula etike, do të kenë problem të na bindin se janë të denjë për të qenë ‘babai i kombit’. Ajo çka është politike, jo gjithmonë është edhe etike, kurse në të gjitha kombinatorikat fshihet matematika, ose e numrit të votuesve që do të dalin në rrethin e parë dhe të dytë, ose e bankënotave që do të merren pas zgjedhjeve, madje edhe për ata që do t’i humbin ato.

Politika, etika dhe matematika kanë njëfarë kuptimi nëse vendosen në një varshmëri jolineare prej nga burojnë disa derivate kuptimore që tregojnë edhe gjendjen reale të këtyre zgjedhjeve. Ata që votojnë do të duhej ta dine se në politikë jo gjithçka që flitet realizohet, kurse më së paku ata që pretendojnë të bëhen President. Por, në anën tjetër, të gjithë duhet të votojnë sipas bindjeve të tyre, sepse vetëm në këtë mënyrë i prishin skemat që paraprakisht i vendos politika pa etikë dhe me shumë matematikë. (koha.mk)