Ekspertët kanë mendime të ndryshme rreth vendimit të Katica Janevës që ta tërheq aktakuzën për rastin “Puçi” dhe për pasojat e mundshme të një hapi të tillë në politik. Sipas ish prokurorit, Sotir Kostov, aktakuza janë tërhequr edhe më herët, por sipas tij këtë herë kjo patjetër është dashur të bëhet pasi gjykata t’i ketë shqyrtuar provat. Kështu edhe hapin e Speciales ai e sheh si moment i cili ndikon në bisedimet pas zgjedhjeve për formimin e Qeverisë, deri në atë nivel saqë Kostov jep edhe rekomandim të hapur.

Po të isha unë presidenti i shtetit dhe nëse mandatari Nikola Gruevski, them hipotetikisht nëse ai nuk arrin të formoj Qeveri, unë do isha menduar nëse do ia jepja mandatit Zoran Zaevit. Ja përse. Le të jetë traditë që mandati t’i jepet partisë së dytë politike sipas mandateve, por Zoran Zaevi është falur njëherë nga presidenti i shtetit dhe tani është falur për herë të dytë, vini re, kjo nuk është për shpifje apo ku e di çfarë, por për vepër ndaj shtetit – deklaroi analisti Sotir Kostov.

Krejtësisht të kundërtën e mendon profesori universitar Mersel Bilalli. Ai vlerëson se tërheqja e aktakuzës për rastin “Puçi” nuk do të ketë pasoja në skenën politike pasi të gjitha hapat e Katica Janevës hasin në kritika nga VMRO DPMNE.

Rastin “Puçi” Prokuroria Publike e Marko Zvërlevski e hapi pak para fillimit të publikimit të bombave. Teza kryesore në këtë rast ishte se dy persona nga DSK, pa dijen e njerëzve të parë, me vite në mënyrë të paligjshme kanë përgjuar mijëra qytetarë, që në fund me një pjesë të atyre materialeve Zoran Zaev ta kushtëzoj Gruevskin. Në lëndët që Specialja i hapi më vonë, gjithashtu thuhet se në mënyrë të paligjshme është përgjuar në DSK. Por, atë e kanë bërë një numër më i madh i personave, edhe atë me urdhër të strukturave më të larta udhëheqëse në policinë sekrete./Alsat-m