Përkundër takimeve të shumta që kanë zhvilluar, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje. Ndonëse dy partitë kanë deklaruar vazhdimisht se janë harmonizuar programet dhe ekziston vullneti për koalicion, tash janë shpërfaqur mospajtime sa i përket ndarjes së përgjegjësive dhe posteve.

E thirrje për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Kosovës e kanë bërë edhe misionet huaja diplomatike në Kosovë, sidomos ato të shteteve të fuqishme si: SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania. Por, sa do të ndikojë presioni ndërkombëtarë që LVV dhe LDK të lidhin koalicion qeverisës?

Shpend Emini nga organizata joqeveritarë D4D, ka thënë për Telegrafin se situata e tanishme politike është e njëjtë me ato të vitit 2014 dhe vitit 2017.

“Trendi i krizave politike që kanë pasuar zgjedhjet e vitit 2014 dhe ato të vitit 2017, po e përcjellin edhe procesin e zgjedhjeve të tetorit 2019. Ajo çka po ndodh tash është një situatë e ngjashme me atë të vitit 2014 kur u nisë një praktikë e bllokadës dhe mbajtjes peng të procesit të formimit të qeverisë sipas vullnetit të partisë fituese. Tashmë është e qartë se VV dhe LDK duhet sa më shpejtë të dalin nga ngërçi i bisedimeve dhe të formojnë qeverinë sa më shpejt”, ka thënë ai.

Shpend Emini, organizata joqeveritare D4D

Emini tha se Qeveria e re e Kosovës nuk duhet të formohet nga presioni ndërkombëtar, por në kuadër të një marrëveshje mes dy partive, bazuar në programet që tanimë janë diskutuar dhe janë pajtuar nga ekipet e dy partive.

“Çdo presion dhe një marrëveshje e shpejtë do të ndikonte në suksesin dhe jetëgjatësinë e kësaj qeverie, duke marrë parasysh se asnjë qeveri në Kosovë nuk ka arritur të përfundojë mandatin e plotë. Ky proces nuk është i pafund, andaj si VV ashtu edhe LDK duhet të gjejnë kompromis dhe të formojnë qeverinë, ose në rast të dështimit të një kompromisi dhe formimit të koalicionit të vazhdohet sipas procedurave kushtetuese”, u shpreh ai.

Si përfundim, Emini deklaroi se në rast të formimit të Qeverisë, Kuvendi i Kosovës duhet të fillojë me reforma zgjedhore.

“Në rast të formimit të qeverisë, Kuvendi i Kosovës duhet menjëherë të fillojë me reformën zgjedhore por edhe atë kushtetuese që do t’i ndryshonte rregullat sidomos ato të pas zgjedhjeve që krijojnë kriza në formimin e institucioneve që nga viti 2014”, deklaroi ai për Telegrafin.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që nga data 6 janar ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të dërgojë emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë, mirëpo LVV ende nuk ka dërguar shkresë zyrtare në Presidencë, emrin e mandatarit.