Pse Bujar Osmani, ministër i PJ të MV dhe kryesuesi aktual i OSBE-së, zuri në gojë bash në këto ditë Ballkanin e Hapur, në kohën kur Serbia po akuzohet për sponzorizim të terrorizmit mbi shqiptarët e Kosovës, në ditët kur ajo për këtë fakt është vënë nën presionin të fuqishëm ndërkombëtar?

Çfarë e detyroi Bujarin, ministrin shqiptar, bashkë me qeverinë dhe partnerët shqiptar të saj BDI/ASH, t’i dalë zot shtetit serb, që po akuzohet nga qendra të rëndësishme politike për destabilizim të rajonit?

A ka ndonjë koordinim me kryeministrin Edi Rama për linjëzim politikash për të zbutur goditjet që po i vijnë Vuçiqit mu tani kur s’ka dy ditë që Sebia u kryqëzua nga një numër i madh i eurodeputetëve në seancën e Parlamentit Europian dhe pak ditë para takimit të radhës të Procesit të Berlinit?

As në skenarët më distopik të politikës nuk do të mund të imagjinonim, që do vijë një ditë kur subjekte politike shqiptare do të jenë më miqësore ndaj sjelljeve armiqësore dhe terroriste të Serbisë sesa disa figura politike sllave, këtu në Maqedoni, në Kroaci, Mal të Zi dhe Bullgari. Kush do të mendonte që një Ivon Veliçkovski apo një Nikica Korubin të dy ish deputetë joshqiptar të MV, të kenë qëndrime shumë më racionale, dmth, më kundër politikave destabilizuese të Vuçiqit, sesa Bujar Osmani dhe kolegët e tij shqiptarë të qeverisë?

Pra ne, sot, mund të themi që paskemi konstatuar tërësisht gabimisht faktin që në serbizimin e skajshëm të Maqedonisë së Veriut janë përfshirë vetëm partitë politike sllave, si LSDM, VMRO dhe Levica. Tash po shohim, që ky proces i serbizimit paska asimiluar, pothuajse deri në gllabërim, edhe partitë shqiptare në qeveri. T’i lëmë deklaratat e tyre boshe, folkloriste. T’i shohim veprimet e tyre. Sepse me veprimet e tyre, sidomos këta të fundit, me Ballkanin e Hapur, uji shkon direkt dhe hapur në mullirin serb.

Ç’i duhet, çuditet shumica e shqiptareve me të drejtë, Maqedonisë së Veriut (sidomos qeveritarëve shqiptarë) dhe Shqipërisë të bëjnë avokatin e Serbisë? Pse? Pse mu tani i dalin zot Serbisë djallëzore në këto momente kritike për Kosovën dhe shqiptarët?