I dërguari Special i Presidentit Amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka propozuar që liqeni Ujmanit të quhet “Liqeni Trump”.

Këtë ide e ka përkrahur edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, por eurodeputetja gjermane Viola von Cramon ka ironizuar me këtë iniciativë.

Deputetja gjermane këtë ide madje e ka konsideruar si “shaka të 1 Prillit”.

Mirëpo këtë iniciativë e kanë përkrahur edhe qytetarët që jetojnë afër këtij liqeni.

“Të them të drejtën unë jam pro këtij propozimi. Ato ky dy veta kacafyten i treti fiton. Për të zgjidhur problemin pse të mos e ndryshojmë emrin e liqenit. Njerëz që kanë udhëhequr bisedime kanë fituar çmimin “Nobel”, asgjë nuk është t’i vendoset emri i një liqeni. Për mua është e arsyeshme”, shprehet një qytetar për RTV Dukagjinin, përcjell Telegrafi.

“Nuk është ide e keqe. Mbase amerikanët na kanë sjellë deri këtu pse mos ta kenë një emër. Ne Ujman, këta Gazivodë, e Trump mbetet emër i të gjithëve”, deklaroi qytetari tjetër

Propozimin e Grenellit për këtë emërim e ka përkrahur edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.