Athina kërkon nga autoritetet shqiptare sqarimin e plotë të rrethanave të vrasjes së 35-vjeçarit grek, që është pjesë e ushtrisë.

Vrasja e ushtarit grek në Gjirokastër pasditen e djeshme ka përplasur Tiranën me Athinën. Menjëherë pas ngjarjes ku mbeti i vdekur Konstantinos Katsifas, Ministri i Jashtëm grek, post që mbahet nga kryeministri Alexis Tsipras kërkoi nga autoritetet shqiptare sqarimin e plotë të rrethanave të vrasjes së 35-vjeçarit grek, ndërsa e cilësoi ngjarjen si të papranueshme.

Dyshohet se Konstantinos Katsifas hapi zjarr me një kallashnikov ndaj veturës së policisë shqiptare, e cila ishe në operacion për arrestimin e tij, shkruan Shqiptarja.

“Shprehim keqardhjen tonë të thellë për vdekjen e shtetasit grek, ngushëllime për familjen. Në çdo rast, është e papranueshme humbja e një jete. Ne presim që autoritetet shqiptare të sqarojnë plotësisht rrethanat në të cilat u vra shtetasi grek dhe më pas do të marrim masat e duhura menjëherë”, është shprehur Tsipras.

Përpos qeverisë ka reaguar edhe opozita greke për vrasjen e ushtarit grek në Gjirokastër. Shefi i departamentit të jashtëm të Demokracisë së Re, Jorgos Koumoutsakos në një reagim për mediat shprehet se 35-vjeçari u vra teksa po festonte duke ngritur flamurin grek në varrezat e të rënëve në Bularat.

“Konstantinos Katsifas po festonte duke ngritur flamurin grek në varrezat e të rënëve grekë në Bularat, por e pagoi me jetën e vet manifestimin e ndjeshmërisë patriotike. Qeveria greke të kërkojë menjëhershëm të ngjarjes”, thotë shefi i marrëdhënieve me jashtë i Demokracisë së Re.

Duke iu përgjigjur Athinës, kryeministri Edi Rama në një status në rrjetet sociale thotë se 35-vjeçari ishte një ekstremist i fandaksuri, ndërsa ka një apel për autoritetet greke.

“Fqinj të dashur! Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falënderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste”, është shprehur Rama.

Ndërkohë që Ministria e Jashtme shqiptare ka reaguar duke shprehur keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj. Ministria e Jashtme thotë se ngjarja e sotme ishte totalisht e izoluar dhe një rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar, ndërsa shpreh zhgënjimin se përse Athina nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, bashkë me keqardhjen për ngjarjen e ndodhur sot në Bularat, Gjirokastër, ku humbi jetën shtetasi Konstandinos Katsifas, shpreh po ashtu keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj.

“Rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Katsifas, janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare. Policia e shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e sotme ne zonë dhe një rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar”, thotë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”.

Duke bërë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurt e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke.

Deklaratë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme

Konstantinos Katsifas u ekzekutua nga RENEA dje pasdite në Bularat, pasi nuk iu bind urdhrit për tu dorëzuar dhe qëlloi kundër policisë. Ai kishte hyrë në Shqipëri në datë 2 tetor, ndërsa kishte vendosur disa flamuj grek në fshatin e Gjirokastrës në kuadër të festës greke.