Genci Sefaj, i akuzuari në rastin “Kumanova” në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Kumanova”, gjatë dëshmisë së tij, ka zbuluar synimet e grupit dhe ka shpalosur kërkesat që grupi kishte përpiluar e që kishin të bëjnë me të drejtat e shqiptare, konkretisht me ridefinimin e statusit shtetformues të shqiptarëve. Sefaj hedh poshtë kategorikisht akuzën për terrorizëm. Ai tha se motiv që grupi të organizohet ishin padrejtësitë e shtetit të Maqedonisë ndaj shqiptarëve.

“1-2 maj, 2015, kemi hyrë në Maqedoni. Një natë kemi kaluar në Maqedoni. Natën tjetër në mes Sllupçanit dhe Orizares dhe pastaj kemi hyrë në Kumanovë- vend i panjohur për mua. Jemi mobilizuar, me vullnet kam pranuar. Qëllimi ka qenë të dalim publikisht me kumtesë në emër të UÇK-së. Kemi dashur të organizojmë dalje publike me kërkesa të qarta, para medieve- opinionit. Kemi dashur të tërheqim vëmendjen e shtetit ndaj kërkesave të shqiptarëve. Marrëveshja e Ohrit duhej të realizohej deri më vitin 2004. Pastaj ju dha kohë shtesë deri më 2006, por e njëjta mbeti vetëm në sirtare. Në vend se pas 2001 të përmirësohej gjendja e shqiptarëve situata shkoi mbrapa. Gjendja tash nuk mund të krahasohet as me Kushtetutën e 1974. Kishim eliminimin e ish bashkëluftëtarëve, montimet si “Monstra”, “Sopoti”, … u krijua përshtypje se shteti po punon me dy ligje- një për shqiptarët dhe një për maqedonasit. Këto ishin motive që u gjendëm në Lagjen e Trimave”, dëshmoi Sefaj.

Ai pohon se ftesa i ishte bërë nga Maqedonia komandantit të tyre që të formojmë njësi, konkretisht Mirsad Ndrecajt.

“Mirsadit i është besuar formimi i njësisë. Unë jam informuar më 26 prill nga Mirsad Ndrecaj dhe vet u afrova. Unë jam me protezë, nuk deshën të më pranojnë, por insistova dhe u bëra pjesë e UÇK-së. Meqë deri më 8 maj nuk kishim bërë asgjë, kërkuam nga Mirsadi veprime konkrete dhe kërkuam që kumtesën ta bëjmë vet ne. E përpiluam kumtesën me këto kërkesa: Ridefinimi i statusit shtetformues të shqiptarëve, gjuha shqipe të jetë zyrtare dhe e barabartë me gjuhën maqedonase, zgjidhja e problemit me nënshtetësitë, ndërprerja e gjuhës së urrejtjes, ndërprerja e rasteve të montuara dhe zbardhja e tyre, zbardhja e vrasjeve të bashkëluftëtarëve tonë,- konkretisht rasti i Harun Aliut- Kushtrimit, të ndërpritet diskriminimi në buxhet, kulturë, arsim, e kështu me radhë …”, deklaroi Sefaj para gjykatës.

Sefaj njoftoi se Mirsadi e mori përsipër ta dërgojë kumtesën, por, sipas tij, nuk u kuptua se pse nuk është publikuar dhe në interes të kujt ishte modalja e kumtesës.

“Datën e 9 majit, ora 4 e gjysmë u zgjuam nga krismat. Veprimet tjera i dini. Kemi kërkuar ndërprerjen e zjarrit që të mund të dalin civilët, familja e Shaban Jasharit, e Fadil Fejzullahut dhe Irfan Lutfiu. OSBE kërkonte ndaljen e gjuajtjeve, por këtë e kemi respektuar vetëm ne. Dhe, kjo pati kundër efekt, sepse njësiti e mori si dobësi tonën dhe e rritën artilerinë kundër nesh. Kur për herë të parë u ndërpre zjarri u vra me snajper Fatlum Vishesella. Vërtetohet edhe në përgjime se, ishte pabesi. Për një kohë prap na është kërkuar ndalja e zjarrit, Xhafer Zymberi ishte pozicionuar dhe po fliste për ndërprerjen e zjarrit, edhe Xhaferi është qëlluar në atë moment me snajper nga ambulanca që është përballë lagjes”, vazhdoi dëshminë e tij Sefaj.

Sipas tij, nëse policia kishte aplikuar procedurë standarde operative, nëse do të kishte për qëllim arrestimin e tyre do të ishte më e logjikshme  që nëpërmes mikrofonit të kërkonte dorëzimin, shkruan gazeta Lajm.

“Nuk them se do të ishim bindur, por do të kishte më pak humbje. Kjo nuk ndodhi. A e ka ditur policia se çfarë grupi jemi ne, apo i ka dërguar policët duke u thënë se në Lagjen e Trimave ka narko- trafikantë| Policia na ka sulmuar pa paralajmërim.

Policia na akuzon për terror, se kemi shkaktuar pasiguri te qytetarët. Nga 1-9 maj ishim në Kumanovë. Sa raste ka të denoncuar në polici? Çfarë kemi pritur ne deri më atë ditë. Ne kemi mundur të shkojmë deri në Koçan. Më 7 maj në lagje kishte inspektorë të policisë. Kemi mundur të veprojmë. Kanë ardhur inspektor me letra, si postier, nuk kemi vepruar. Në lagje jeta shkonte normal”, tha Sefaj.

“Isha me uniformë. Komunikata duhej të dilte në emër të UÇK-së. Ne nuk mund të dilnim si shoqëri civile ose organizatë humanitare. Duhej të ishim më serioz. Për të qenë më të besueshëm na duhej uniforma dhe arma”, ishte decid në dëshminë e tij Sefaj.

Ndryshe, Enver Hoxhaj është tërhequr nga dëshmia.

Vitin e kaluar në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur./Gazeta Lajm/