Në gjyqin për rastin “Monstra”, ekspertja e Biologjisë Pavlinka Stefanova tha se se gjatë marrjes së gjurmëve në makinën Opel Omega është gjetur ADN-ja e të akuzuarit Alil Demiri i cili për momentin është në arrati. Stefanova ka thënë se analiza ka rezultuar me 5 profile njerëzish, 4 prej tyre burra ndërsa njëri profil mes mashkullit dhe femrës. Vetëm një prej profileve përputhet me profilin e Alil Demirit, ndërsa asnjë prej të tjerëve nuk përputhet. Ajo shtoi se në makinë janë gjetur edhe gjurmë të një qeni dhe një fletore. Avokatja e palës së dëmtuar tha se eksperti ka treguar bindshëm se nuk ka pasur asnjë lloj manipulimi gjatë analizës së ADN-së dhe se me bindje të plotë është vërtetuar ADN-ja e Alil Demirit.

Eksperti tregoi se në fakt nuk ka mundësi për manipulime por me siguri është verifikuar analiza edhe në mënyrë elektronike si dhe atë të shkruar, pra analizë që është marr nga pjesa e brendshme e veturës, nga ulëset. Me siguri vërtetohet se kjo analizë i takon njërit prej të dyshuarve, përkatësisht të akuzuarit i cili është në arrati- deklaroi Dafinka Ivanovska – avokate e palës së dëmtuar.

Ndërkohë, familjari i të akuzuarve Bedri Ajdari thotë se nuk është e mundur që të figuroj vetëm ADN-ja e Alil Demirit. Ai dyshon se kjo ADN është marr nga një vend tjetër dhe është vendosur në veturë qëllimisht.

Si është e mundur që në një veturë që thuhet se kanë qenë 3 apo më shumë persona të cilët janë të akuzuar dhe nuk është gjetur ADN-ja e të tjerëve por vetëm e Alil Demirit. E keni parasysh se 5 vetura janë marr prej këtyre të akuzuarve, nga ato 5 vetura te secila është e mundshme të ketë qenë ADN-ja apo qelizat. Ka qenë e mundur të jenë në veturat tjera dhe thjesht të thuhet se ka qenë këtu- tha Bedri Ajdari- familjar i të akuzuarve, njofton Alsat M.

Në fillim të seancës prokurorja speciale Fatime Fetai kërkoi nga gjyqi të jep përgjigje se deri ku është procedura me ekstradimin nga Kosova e të akuzuarve Alil Demiri dhe Afrim Ismajlloviq. Gjykatësi Ognen Stavrev, tha se ka marrë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë dhe kërkoi që të lexohet nga ana e Prokurorisë. Në përgjigjen e Ministrisë thuhet se është kërkuar ekstradimi i Alil Demirit dhe Afrim Ismajloviqit nga Kosova, por se ende nuk ka përgjigje. Vrasja në Smillkovë në vitin 2012 la të vdekur pesë persona. Për këtë rast me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismajloviq, Fejzi dhe Haki Aziri si dhe Sami Luta. Në dhjetor të vitit të kaluar pas rikthimit të rastit për gjykim të serishëm, të akuzuarit u lanë të mbrohen në liri.