Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë shpreh shqetësim serioz që kabineti i presidentit Gjorgje Ivanov në periudhën e kaluar u ka ofruar certifikata të sigurisë disa gazetarëve, duke u shpjeguar se dëshirojnë të rrisin transparencën e institucionit, njofton Fol.

Kemi informata serioze se pjesa më e madhe e gazetarëve që janë ftuar në brifing në kabinetin e Presidentit kanë nënshkruar kërkesat për marrjen e certifikatës për siguri, duke mos pasur mundësi të informohen për drejtat dhe obligimet e bartësve të certifikatës, dhe për atë se si do të ndikojë ajo në punën e tyre.

Ne besojmë se ndarja e certifikatave të tilla për gazetarë, nga ana e shërbimeve të sigurisë paraqet presion mbi profesionin e gazetarëve, dhe me atë gazetarët nga mbrojtës të interesit publik shndërrohen në nëpunës shtetërorë. Veprimi i tillë i presidentit Ivanov e cenon lirinë e mediave sepse lidhja e gazetarëve me shërbimet për siguri vetëm do ta përforcojë vetë-censurën.

I bëjmë thirrje presidentit Gjorgje Ivanov menjëherë t’iu jep urdhër këshilltarëve të tij të ndalojnë procesin e ndarjes së certifikatave të sigurisë për gazetarë. Nëse presidenti dëshiron të rrit transparencën atë mund ta bëjë me kontakte më të shpeshta me gazetarët dhe me publikimin e të gjitha informatave me karakter publik me të cilët disponon institucioni.

Gjithashtu, iu bëjmë thirrje kolegëve menjëherë të heqin dorë nga kërkesat për marrjen e certifikatave sepse kjo është në kundërshtim me Kodin e gazetarëve. Ai na obligon t’i respektojmë ligjet në vend, por gjithashtu kërkon nga nesh të mos fshehim informata që janë në kundërshtim me interesin publik. /Fol/