Ishte viti 2004 kur Shqipëria debutoi në festivalin më të madh të këngës në Evropë, ‘Eurovision’.

Këngëtarja e parë që përfaqësoi shtetin shqiptar në këtë festival, ishte Anjeza Shahini e cila me këngën “Image of You” u rendit në vendin e 7 nga votuesit evropian.

Ndonëse viti i parë rezultoi me shumë sukses sa i përket kualifikimit në finale, Shqipëria vazhdoi njëjtë edhe një vit më vonë ku Ledina Çelo ishte direkt në finale.

Por, vitet 2006 me këngën e Luiz Ejllit “Zjarrë e Ftohtë” dhe 2007 me përfaqësuesin Frederik Ndoci, ishin dëshpëruese për shqiptarët pasi përfaqësuesit e dërguar në këto dy vite nuk arritën të kalonin në finale.

“Dielli rilindi për Shqipërinë në Eurovision” pasi që nga viti 2008 me Olta Boka, 2009 me Kejsi Tola dhe 2010 me Juliana Pasha, u arrit që të preket finalja në këtë festival, por duke mos shkuar më shumë se tek pozita 16-17.

Ky ‘diell’ duket se ‘perëndoi’ në vitin 2011 kur Aurela Gace nuk arriti do të kalojë në fazën finale të Eurosongut.

Mirëpo 2012-ta ishte viti më i suksesshëm deri tani, sa i përket finales dhe arritjes së Shqipërisë në një festival të komentuar kudo në Evropë.

Rona Nishliu me këngën ‘Suus’ përveç që arriti të shkojë në finale, u rendit e 5-ta nga votat e Evropës.Zëri i saj dhe paraqitja, u veçuan shumë nga plot njerëz të cilët shpesh thoshin se kjo këngë duhej të fitonte.

Duke i dhuruar Shqipërisë atë që nuk ia dhuroi asnjë pjesëmarrës, Rona edhe sot vazhdon që të jetë këngëtarja më e suksesshme në ‘Eurovision’, pasi vitet në vazhdim do të shënonin një dështim total për ne.‘Suus’ e Ronës vazhdon akoma të bëhet ‘cover’ nga këngëtarë të tjerë madje me këngën e saj shumë artistë të rinj e provojnë zërin në spektakle garuese.

Vitet 2013 ku u përfaqësuam nga Adrian Lulgjuraj & Bledar Sejko si dhe vitin 2014 nga Hersi Matmuja e deri tek ai 2017, ishin të dështuara pasi vetëm në vitin 2015 Elhaida arriti të shkonte në finale por duke mos pasur ndonjë sukses tjetër.

Kurse, sa i përket përfaqësuesve në vitin 2016 dhe 2017, është e habitshme arsyeja se përse ato nuk arritën në finale,shkruan lajmi.net

“Fairytale” quhej kënga e Eneda Tarifës e cila njihet si këngëtare shumë e talentuar. Por, interpretimi i saj në natën gjysmëfinale në vitin 2016 nuk mori besimin e votuesve.

Kënga e saj u kritikua fort nga Linda Halimi e cila tha përmes një statusi që Shqipëria ka nevojë që të merr pjesë me këngë më më ritëm e jo me këngë ku ka vetëm britma.

E ishte pikërisht Linda Halimi e cila në këtë vit përfaqësoi Shqipërinë në ‘Eurosong’ duke u prezantuar me këngë në të njëjtin zhanër e përcjellë me ‘britma’.

Padyshim që tani ishte koha e Enedës që t’ia kthente ‘borxhin’ Lindës.

Mirëpo, pak para nisjes së natës gjysmëfinale, Eneda i uroi Lindës sukses duke thënë se përformanca e saj ishte e jashtëzakonshme, madje edhe e ‘arsyetoi’ moskualifikim e saj në vitin 2016.“Linda ka bërë një status të pa menduar mirë, mirëpo Linda i përket Kosovës prandaj ajo duhet ta ketë përkrahjen e Kosovës, të Shqipërisë dhe çdo muzikanti shqiptarë. Duke qenë qe çdo vit vjen presion në ‘Eurosong’, pavarësisht kësaj Linda ka interpretuar në formë të mrekullueshme. Shpresojë se do të shkojë në finale dhe e shoh të favorite në grupin në të cilin bënë pjesë, pasi nuk është si grupi im vitin e kaluar ku kishte këngë më të mira dhe përformanca mijëra euro kurse nata e sotshme është më modeste” ka thënë Eneda.

Ndërsa, se përse Linda dështoi në kualifikim për me tutje, tekst shkruesi i këngës së saj në gjuhën shqipe, reperi Gerald Xhari në një prononcim ka dhënë një arsye.“Unë mendoj se Lindita pati një paraqitje mjaft dinjitoze dhe për t’u përgëzuar. Një këngë me potencial dhe një zë potencial gjithashtu. Nuk u penalizua për asnjë element të shkuar gabim, por sepse gara sivjet është shumë e fortë dhe janë disa këngë pretendente që po përfliten, ndryshe nga vitet e tjera kur kënga fituese dallonte qe në start” ka theksuar Geraldi.

Pra, si Eneda, ashtu edhe Geraldi kanë pothuajse të njëjtin mendim, duke theksuar se Shqipëria po dërgon këngëtarë të talentuar në ‘Eurovision’ por janë politikat, konkurrentët e fortë dhe investimet ato që po e penalizojnë Shqipërinë, e jo vetëm votat e publikut!