Ashtu si një ditë më parë me 120 karrige para kuvendit, edhe sot me 21 karrige para qeverisë, aq sa është numri i ministrave në ekzekutiv, sindikata vazhdoi grevën e përgjithshme të nisur në sektorin publik me kërkesën për rritjen lineare të pagave. U kërkuan funksionarëve të lënë zyrat e tyre me kondicionerë e të provojnë njëherë se si është të jesh punëtor i thjeshtë që punon pa kushte me një pagë që nuk i del të kalojë muajin.
“Punëtori erdhi për atë që i takon. Nuk kemi rrugë tjetër për të mbijetuar në këtë krizë ekonomike. Nuk kemi asnjë mënyrë për t’i bërë ballë inflacionit. Merrni gjërat me seriozitet që të mos e dërgoni shtetin në kolaps. Punëtori është forca lëvizëse e këtij vendi.”,- tha kryetari i LSM-së, Darko Dimovski.
Të premten greva e tyre do të zhvendoset para Ministrisë së Financave, për t’i kërkuar drejtpërdrejt ministrit Besimi që të sigurojë para për paga më të larta në sektorin publik me rishikimin e buxhetit.