Shtyrja e datës së zgjedhjeve nuk është në favor të Aleancës për Shqiptarët, por do të respektojë vendimin e ekspertëve, tha Halil Snopçe, në emisionin “Rruga Drejt”.

“Nëse ekspertët mendojnë se kjo është e nevojshme, ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Neve na konvenon që zgjedhjet të zhvillohen më 12 prill, jo vetëm për shkak të sondazheve të brendshme, por gjithashtu kemi një organizim jashtëzakonisht të madh në mesin e diasporës shqiptare që të vijë dhe të votojë këtu.

Sipas informacionit që kemi, mbi 10.000 shqiptarë nga diaspora do të përdorin festën e Pashkëve dhe do të vijnë për të votuar politikat e ndryshimit, në krahasim me politikat e vjetra, por edhe për të vizituar familjet e tyre”, tha Snopçe.

Ai shtoi se nëse jepet ky injeksion nga diaspora shqiptare në këto zgjedhje, neve në asnjë mënyrë nuk na konvenon shtyrja e zgjedhjeve.