protesta-1

Sot do të mbahet protesta me moton “NDAL” e organizuar nga OVL e UÇK-së, Illyricum Libertas, Lëvizja Uniteti e mbështetur edhe nga shumë shoqata të tjera dhe parti politike si LR-PDSH dhe RDK. 

Këshilli për organizimin e protestës njoftoi se protesta fillon nga ora 14:00 tek ura në “Bit Pazar”, ndërsa do të përfundojë me një marsh deri tek Parlamenti i Maqedonisë.

Ja edhe arsyet dhe qëllimi i kësaj proteste:

“Ne do të protestojmë kundër obstruksioneve ndaj Prokurorisë Speciale, kundër proceseve të montuara politike, kundër burgosjeve të shqiptarëve, kundër kësaj qeverisjeje, kundër këtij sistemi, kundër këtij statusi. Protesta është para së gjithash një akt rezistence ndaj regjimeve.

Protesta e 22 prillit në veçanti ndaj gjendjes së padurueshme, që ka ardhur si pasojë e qeverisjeve antishqiptare, me zyra dhe zyrtarë antishqiptarë.

Nuk ka rëndësi data e protestës, rëndësi ka rezistenca dhe kauza jonë dhe këto para së gjithash flasin një gjuhë, gjuhën shqipe, sepse vetëm ashtu mund të realizojmë vetveten, vetëm në këtë mënyrë merr kuptim aktiviteti ynë politik. Çdo aktivitet që nuk është komplementar me këto kushte e konsiderojmë si pengesë ndaj aspiratave tona.

Protesta e 22 Prillit është protesta ndaj rendit, ndaj statusit, ndaj shtetit, ndaj pushtetit që ka riprodhuar vetveten tash e mbi 25 vjet, gjithmonë në dëm të shqiptarëve.

U bëjmë thirrje studentëve, unioneve të tyre, shoqërisë civile, organizatave të ndryshme jo-qeveritare, subjekteve politike shqiptare.

Bëjmë thirrje tek çdo shtëpi ku flitet shqip, që fatin e vet ta lidh me vullnetin e përbashkët

Ne nesër do të manifestojmë kushtin e lirisë dhe demokracisë duke dalë në rrugë e protestuar. Do të protestojmë kundër sistemit. Kundër këtij sistemi diskriminues, segregues dhe antidemokratik. Do të ngremë zërin si kolektivitet sepse pikërisht si kolektivitet na janë mohuar të mirat e mirëqenia. Të bëhemi nesër në Shkup një trup i vetëm.”, thuhet në komunikatën e Këshillit organizativ.