Me maska mbrojtëse bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër 2 nga radhët e LSDM-së Oliver Spasovski bashkë me aktivistët e tjerë të partisë ndanë fletushka në qytetin e Kumanovës. Në këtë mënyrë filloi fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Spasovski këmbëngul se zgjedhjet duhet të mbahen më 5 korrik. Ai shton se zgjedhjet pas vjeshtës janë një ide e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve dhe ekonominë në vend.

“Çdo afat për zgjedhjet që do të hyjnë në periudhën e verës do të rrezikojë të drejtën e votimit të qytetarëve, sepse do ta kundërshtojë atë me të drejtën e pushimit veror. Zgjedhjet pas 5 korrikut nuk janë as të ligjshme as të drejta për qytetarët – thjeshtë nuk ka zgjedhje në mes të pushimeve verore”, deklaroi Oliver Spasovski – LSDM.

Nga VMRO-DPMNE me qëndrim se është morbide të flitet për zgjedhje kur për çdo ditë po rritet numri i të infektuarve me Covid 19.

“Sa i përket datës fikse për zgjedhjet më 5 korrik, kur do të zhvilloheshin zgjedhjet, jo vetëm që është jo serioze, por është edhe morbide dhe çnjerëzore, në një ditë kur kemi mbi 80 të infektuar të flasim për zgjedhjet në një kohë kur po numërojmë viktima njerëzore çdo ditë. Fatkeqësisht, këto numra po rriten çdo ditë dhe është morbide të flasim për zgjedhje”, deklaroi Dimçe Arsovski – VMRO-DPMNE.

E Kreshnik Bekteshi tha se BDI është e gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve qoftë edhe javën e ardhshme por se kanë parasysh rekomandimet nga epidemiologët.

“Pozicioni i BDI-së është konzistent dhe parimor që nga fillimi kur u hap tema e mbajtjes së zgjedhjeve në qershor ose korrik. Ne jemi të gatshëm të shkojmë në votime edhe javën e ardhshme, por duhet të marrim parasysh rekomandimet e Komisionit për sëmundje infektive dhe situatën me numrin e të infektuarve. Ne kemi thënë në parim se data duhet të arrihet me konsensus. BDI mbetet në atë qëndrim”, tha Kreshnik Bekteshi – BDI.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare fillimisht ishin caktuar për më 12 Prill, por për shkak të epidemisë së virusit të ri, ato u shtynë në një afat të pacaktuar.