Konsumi real individual për kokë banori i shprehur në bazë të standardit të fuqisë blerëse në Maqedoni vitin e kaluar ishte 43 për qind më i lartë se mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Evropian, më mirë se Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria, tregojnë vlerësimet fillestare të Eurostat. Ose, me fjalë të tjera, vitin e kaluar standardi i Maqedonisë ishte 57% më i ulët se mesatarja evropiane

Zenel MIFTARI

Shkup, 24 qershor – Standardi në Maqedoni vitin e kaluar iu afrua mesatares evropiane me një pikë përqindje, por është akoma 57 për qind më i ulët se standardi mesatar i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, tregojnë indikatorët fillestarë të Eurostat. E ngjashme është situata edhe me bruto prodhimin e brendshëm vendor për kokë banori sipas fuqisë blerëse, i cili megjithëse është një pikë përqindje më e lartë se dy vitet e kaluara, megjithatë vitin e kaluar ishte vetëm 38 për qind nga mesatarja e BE, tregojnë të dhënat e Eurostat. Përmirësimi i tillë minimal, megjithatë, nuk ishte i mjaftueshëm për të shkëputur vendin tonë nga fundi i listës së vendeve evropiane për sa i përket konsumit real individual dhe bruto prodhimit të brendshëm për kokë banori, tregojnë të dhënat nga Zyra Evropiane e Statistikave Eurostat të publikuara ditën e premte.

LARG EVROPËS

Konsumi real individual (Actual Individual Consumption – AIC) për kokë banori i shprehur në bazë të standardit të fuqisë blerëse (Purchasing Power Standards – PPS) në Maqedoni vitin e kaluar ishte 43 për qind më i lartë se mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Evropian, më mirë se Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria, tregojnë vlerësimet fillestare të Eurostat. Ose, me fjalë të tjera, vitin e kaluar standardi i Maqedonisë ishte 57% më i ulët se mesatarja evropiane. Në vitin 2018 dhe 2017, konsumi real individual në vend ishte në nivelin e 42 për qind të mesatares evropiane (ose 58 për qind nën mesataren e BE).Përveç 27 vendeve anëtare të BE-së, në renditje përfshihen edhe Britania e Madhe, Norvegjia, Zvicra dhe Islanda, pastaj vendet kandidate – Turqia, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si dhe Bosnja dhe Hercegovina. Dhe, sipas nivelit të BPV për kokë banori (e matur sipas standardit të fuqisë blerëse), e cila vitin e kaluar ishte në nivelin e 38 për qind të mesatares evropiane, ne ishim më mirë vetëm se Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria. Edhe te ky tregues Maqedonia vitin e kaluar uli hendekun në krahasim me mesataren evropiane me një pikë përqindje në krahasim me vitin 2018 dhe 2017. Pak më mirë se Maqedonia është Serbia, ku konsumi real individual është 49 për qind nga mesatarja evropiane, dhe BPV për kokë banori është 41 për qind. Dy vendet e tjera kandidate për në BE, Mali i Zi dhe Turqia, janë më të mirë se disa nga vendet anëtare të Unionit për sa i përket konsumit real individual. Kështu, Mali i Zi, i cili është në nivelin e 60 për qind të mesatares së BE-së, është më i mirë se Bullgaria (me një standard prej 59 për qind të mesatares evropiane dhe është në fund midis vendeve anëtare të BE-së), ndërsa tek Turqia ky tregues është 68 për qind nga mesatarja e BE-së dhe përveç se prej Bullgarisë, Turqia është më mirë se Kroacia (66%) dhe Hungaria (67%).

Rumania, nga ana tjetër, shënoi kërcimin më të madh sipas standardit në konsumin real individual, duke u barazuar me Poloninë, e cila është 21 për qind nën mesataren e BE-së. Për krahasim, një vit më parë, standardi i rumunëve ishte 29 për qind më i ulët se mesatarja e BE-së. Letonia, Sllovakia, Estonia, Greqia dhe Malta janë midis vendeve ku konsumi është midis 20 dhe 30 për qind nën mesataren evropiane (d.m.th. në nivelin prej 70 deri 80 për qind të mesatares së BE). Diku më i mirë ishte standardi në Lituani, Portugali, Republikën Çeke dhe Slloveni, ku konsumi real individual ishte 10 deri në 20 për qind nën mesataren e BE-së, dhe në Qipro dhe Spanjë shifra ishte rreth 10 për qind nën mesataren evropiane. Më afër me mesataren e konsumit individual në BE ishin Italia dhe Irlanda. Sa janë dallimet e mëdha edhe në kuadër të Bashkimit Evropian tregon fakti se në vetëm nëntë vende të BE-së, konsumi real individual i matur me standardin e fuqisë blerëse në vitin 2019 ishte më i lartë se mesatarja evropiane.

LUKSEMBURGU KRYESON ME MIRËQENIE

Në këtë raport, Luksemburgu riafirmoi statusin e tij si vendi me standardin më të lartë, 35 për qind mbi mesataren evropiane, që është një pikë përqindje më e lartë se më 2018. Për standardin nuk mund të ankohen as ata që jetojnë në Gjermani, e cila është në vendin e dytë me konsum për 23 për qind më të lartë se mesatarja e BE-së, ose tre pikë përqindje më shumë se në vitin 2018. Mbi mesataren e BE-së janë edhe Austria, Danimarka, Belgjika, Holanda, Finlanda dhe Suedia, ku konsumi është 10 deri 20 për qind më i lartë se mesatarja e BE-së, dhe në Francë, ku standardi ishte nëntë për qind mbi mesataren e BE-së. Të dhënat e Eurostat tregojnë gjithashtu një ndryshim të madh kur bëhet fjalë edhe për BPV për kokë banori të matur sipas standardit të fuqisë blerëse. Edhe vitin e kaluar, Luksemburgu ishte në epërsi, ku BPV për kokë banori ishte dy herë e gjysmë më i lartë se mesatarja e BE-së (indeksi 261). Sipas Eurostat, ky rezultat pjesërisht është për shkak të pjesës së madhe të punëtorëve të huaj në punësimin e përgjithshëm. “Megjithëse këta punëtorë marrin pjesë në krijimin e BPV, ata nuk përfshihen në popullatën e përdorur për të llogaritur BPV për kokë banori,” thonë nga Eurostat. Sipas këtij treguesi, një befasi e madhe është Irlanda, e cila është prapa Luksemburgut me 91 për qind BPV më të lartë për kokë banori, pra pothuajse dy herë më shumë se mesatarja e BE-së.

Pas tyre vijnë Danimarka, Austria, Holanda, Gjermania dhe Suedia, BPV i së cilave në vitin 2019 ishte 20 deri në 30 për qind më i lartë se mesatarja e BE-së. Në Belgjikë dhe Finlandë, BPV për kokë banori ishte midis 10 dhe 20 për qind më i lartë, dhe më e afërta me mesataren është Franca me një BPV për kokë banori prej gjashtë për qind mbi BE, ndërsa mesatarja e Republikës Çeke, Spanjës dhe Italisë ishte aq e ulët deri në 10 për qind. Qipro, Lituania, Portugalia, Sllovenia, Polonia, Estonia, Sllovakia dhe Hungaria kishin nga 10 deri 30 për qind BPV më të ulët për kokë banori sesa mesatarja e BE-së. Greqia, Letonia dhe Rumania përbëjnë grupin e vendeve me BPV për kokë banori, që është më shumë se 30 për qind më i ulët se mesatarja e BE-së. Kroacia renditet e parafundit me BPV për kokë banori në sipas fuqisë blerëse për 35 për qind nën mesataren e BE-së. Vetëm Bullgaria ka BPV më të ulët për kokë banori, 47 për qind nën mesataren e BE. (koha.mk)