Tre ditë pas shqiptimit të masës së paraburgimit për biznesmenin Sead Koçan, ai ende nuk është i kapshëm për organet e rendit. Avokati i tij thotë se ai është në udhëtim zyrtar, ndërsa MPB ende e kërkon atë me fletarrest ndërkombëtar. Derisa vazhdon kërkimi i pronarit të Transmet, beteja tashmë u transferua në gjykata. Avokatët e biznesmenit Koçan thonë se pardje kanë dorëzuar ankesë për paraburgimin dhe se presin Gjykata e Apelit sot të vendosë.

“Gjykata themelore është e obliguar menjëherë lëndën ta dërgojë në Gjykatën e Apelit, në mënyrë që ajo të vendosë në afat prej 48 orëve, afat i cili skadon të dielën në ora 17:30, pa mundësi ligjore që ky afat të shtyhet, pasi afatet e parapara me orë nuk barten në ditën tjetër të punës”, tha Nikolla Dodevski, avokat.

Nga Gjykata e Apelit, thonë se nuk e kanë pranuar ankesën e Dodevskit dhe lëndën, por se edhe kur ta marrin atë, do ketë procedura tjera para se të fillojë të rrjedhë afati prej 48 orëve.

“Deri ditën e premte lënda nuk ka ardhur në Gjykatën e Apelit. Në momentin kur ta pranojmë, gjykata ankesën do ta vendosë në shqyrtim dhe mendim në Prokurorinë speciale, si palë në këtë proces”, u shpreh Safet Kadriji, zëdhënës i Gjykatës së Apelit.

Për atë se lënda ende nuk ka arrit në Gjykatën e Apelit, flet edhe fakti që deri te Prokuroria speciale nuk ka arritur kërkesë për përgjigje ndaj ankesës së avokatit të biznesmenit Koçan. Alsat M pyeti edhe në Gjykatën themelore në Shkup, por prej atje nuk kemi përgjigje.

Katica Janeva kërkoi paraburgim për biznesmenin Sead Koçan për shkak të dyshimit për arratisje dhe ndikim ndaj dëshmitarëve dhe mundësisë për ta përsëritur veprën, si i dyshuar në rastin “Trust”. Bëhet fjalë për rast në të cilin Prokuroria speciale ka dyshime të bazuara se është keqpërdorur procedura e tenderimit për gërryerjen e qymyrit në vlerë prej 17 milionë euro./Alsat-M