Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe sot ka shprehur urime për pjesëtarët e komunitetit shqiptar.

“Është nder që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sinqerisht dhe përzemërsisht t’ju uroj 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit shqip dhe t’ju uroj ta kaloni në atmosferë të bukur dhe solemne, ashtu siç i ngjan një feste e cila e kremton alfabetin, gjuhën dhe shkrim-leximin dhe në përgjithësi fjalën e bukur si vlerën më të lartë civilizuese të njerëzimit. Gjuha, bashkon njerëz, bashkon ide dhe mundëson bashkëpunim dhe kuptohet përparim dhe zhvillim të çdo individi veçmas dhe për shoqërinë dhe njerëzimin në tërësi. Le të jetë fjala e bukur udhërrëfyesi në jetët tona”, qëndron në urimin e Xhaferit.