Ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme debati për përbërjen dhe programin e qeverisë së re me mandatar liderin e LSDM-së, Zoran Zaev.
Votimi i qeverisë duhet të përfundojë jo më vonë se deri në mesnatë.

Debati po përcillet me polemika të shumta mes deputetëve të shumicës së re dhe VMRO-së opozitare, e cila akuzon LSDM-në dhe partitë shqiptare, që do të jenë pjesë e ekzekutivit, për shkelje të rregullores lidhur me drejtimin e seancës, por edhe për programin e ekzekutivit të mandatarit, Zoran Zaev, njofton INA.

Deputetët e partisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, në fjalimet e tyre thanë se LSDM-ja që në seancën e sotme ka nisur me realizimin sipas tyre “Platformës së Tiranës”, pasi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, të cilin nuk e njohin në këtë post, por vetëm si deputet -seancën e ka nisur në gjuhën shqipe.