Trajko Veljanoski pas seancës së sotme për rastin “Monstra”, ku u përmend emri i tij, thotë se ai prej kohësh ishte shënjestra e sulmeve të planifikuara dhe të orkestruara bazuar në gënjeshtra dhe trillime.

Ai përmes një statusi në rrjetet sociale, thotë se Maqedonia është vend ku të pamoralshmit, gënjeshtarët dhe njerëzit pa etikë, në vitet e kaluara kanë qenë më të suksesshmit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Për shumë vite para-struktura të caktuara, trilluan gënjeshtrën se isha përfshirë disi në rastin Monstra. Ishte e vështirë për mua të heshtja, por unë e dija dhe besoja që një ditë gjithçka do të bëhej e qartë dhe do të dilte në shesh, se ishte gënjeshtër e sajuar, vetëm për të më ulur mua. Sulmi ndaj meje është asgjë dhe i parëndësishëm në krahasim me dhimbjen e familjeve të personave që humbën jetën. Vendimi për të luajtur rreth fatit dhe ndjenjave të tyre është një ngarkesë e vështirë që do të zgjasë gjatë gjithë jetës. Unë nuk dëshiroj që askush t’i përjetojë =gënjeshtrat dhe sulmet që durova unë. Njerëzit që e kanë sajuar dhe tregtuar prej vitesh nuk kanë moral. Sot kur gjithçka është e qartë, unë thjesht do t’u them atyre të ngrihen për nderin dhe ndërgjegjen e tyre. Nëse ata kanë nder dhe ndërgjegje, nuk do ta kenë të lehtë përgjithmonë”, ka shkruar Veljanoski.

Emri i tij për herë të parë në seancë për rastin “Monstra”, u përmend nga babai i njërit nga viktimat, Goran Naqevski.

Ai e pyeti ish-kryeministrin Zoran Zaev, nëse nënat kur kanë qenë në takim me të, e kanë pyetur për përzierjen e Trajko Veljanoskit në këtë rast.

Ndërsa Zaevi u përgjigj se nuk i kujtohet saktësisht biseda me nënat e personave të vrarë në Liqenin e Smillkovës.