Presidenti venezuelian Nikolas Maduro akuzoi opozitën se ka bombarduar gjykatën supreme, duke e konsideruar këtë si “akt terrorist”.
Përmes një deklarate para mediave, Maduro tha se një helikopter, i drejtuar nga mbështetës të opozitës, hodhi bomba mbi ndërtesën e gjykatës supreme.
Ai hodhi dyshime se po organizohet një grusht shteti kundër tij, që mbështetet nga SHBA.
Pamjet e helikopterit janë transmetuar edhe në mediat ndërkombëtare, ndërsa u dëgjuan edhe shpërthime të fuqishme.
Opozita akuzon gjykatën supreme për vendime të njëanëshme në favor të presidentit Maduro, i cili sipas tyre mban pushtetin në mënyrë të jashtëligjshme.
Prej muajsh Venezuela është në krizë të thellë ekonomike, që ka shkaktuar protesta të dhunshme të opozitës, prej të cilave ka patur dhjetëra viktima.