VMRO-DPMNE-ja do të kthehet në Kuvendin e Maqedonisë, pas një periudhe tre mujore të bojkotit aktiv, për të kundërshtuar secilin propozim-ligj që është antishtetëror dhe në dëm të qytetarëve të Maqedonisë. Njoftoi kështu ditë më parë lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Sipas analistit Qashif Bakiu, VMRO-DPMNE në veprimet e saj është mjaftë konfuze, në faktin se proklamohet si parti e cila tenton të ndërtojë një profil të ri i cili do të ishte pro integrimit të vendit në BE dhe NATO, nga ana tjetër tenton të pengojë elementet të cilat ndërlidhen për këto çështje.

‘Lideri i saj vazhdon të mos ndërtojë një profil të një lideri opozitar, i cili do të arrinte të rikthejë VMRO-në në një binar i cili do të ishte shpresdhënës tek votuesi opozitar. Për të ndërtuar një profil të ri partiak dhe një profil të një lideri të ri opozitar duhet të ndahet nga e kaluara sepse një pjesë e madhe e materies e cila aktualisht është në proces, ndërlidhet me problematika të cilat janë të krijuara në 10 vitet e fundit nga eksponentë të kësaj partie.’

Poashtu, i pyetur rreth asaj se sa kjo parti do të ketë sukses në pengimin e propozim – ligjeve, ashtu siç tentoi me ligjin për përdorimin e gjuhëve, Qashif Bakiu është i mendimit se është në pikëpyetje kompaktiteti i kësaj partie dhe, ai shprehet se jo të gjithë në VMRO mendojnë se me atë formë do ta nxjerrin këtë parti nga kriza.

‘Rregullorja e parlamentit jep mundësi që të krijojë kriza të ndryshme parlamentare. Megjithatë, në pikëpyetje vihet një element tjetër se sa kjo parti do ta ruaj kompaktitetin e saj, për të ecur dhe për të zhvilluar këtë lloj të politikës të cilën janë duke e aplikuar momentalisht. Mendoj se jo të gjithë në VMRO-DPMNE, mendojnë se kjo është rruga e duhur për ta nxjerrë partinë nga kriza e cila ka rënë dhe vërehen elemente progresive brenda kuadrit të kësaj partie.’

Ndërkaq, VMRO-DPMNE-ja e ka bojkotuar punën e Kuvendit të Maqedonisë që nga dhjetori i vitit të kaluar për shkak të arrestimeve të deputetëve të kësaj partie për sulmet e 27-prillit. Poashtu, nga kjo parti lajmëruan se me kthimin në Kuvend do të kërkojnë votëbesimin e qeverisë. /B. J. /