Shqipëria dhe Maqedonia duhet të anëtarësohen në mekanizmat euroatlantike, si pjesë integrale e sigurisë evropiane, vlerësuan në takimin e sotëm në Tiranë kryeparlamentarët e Maqedonisë dhe të Shqipërisë, Talat Xhaferi dhe Gramoz Ruçi.

Në takimin i cili u mbajt në kuadër të vizitës treditore të kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi në Shqipëri, u rikonfirmua mbështetja e Shqipërisë  për integrimin euroatlantik të Maqedonisë dhe u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe realizimin e shumë projekteve të përbashkëta.

Një nga këto projekte është se pika kufitare dhe doganore e Qafë Thanës do të kthehet në një pikë të përbashkët doganore dhe kufitare për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve nga të dyja vendet.

Gjatë takimit u inkurajua rihapja e linjës së trageteve Ohër – Shën Naum – Pogradec, veçanërisht për periudhën e verës, apo certifikimi dhe njohja e ndërsjelltë e standardeve veçanërisht për produktet bujqësore dhe blegtorale.

“Unë në cilësinë e kryetarit të Kuvendit do të përpiqem që në kuadër të mundësive të mia të jap kontribut maksimal që bashkëpunimin mes dy vendeve tona të thellohet edhe më shumë në të gjitha sferat”, deklaroi Talat Xhaferi në pres konferencën e përbashkët të mbajtur pas takimit.

Ai veçoi nivelin e deritanishëm bilateral dhe përpjekjet e përbashkëta për anëtarësim në NATO si dhe për integrimin evropian dhe gjithashtu vlerësoi miratimin e ligjit të pakicave nga parlamenti i Shqipërisë duke i konsideruar pakicat si urë lidhëse mes dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi tha se dy parlamentet do të adresojnë çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve duke përmendur këtu problemin e ujërave dhe ndikimi i tyre në mjedis, rishikimin e ujërave kufitare, lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve

Ai e përshëndeti nismën e Kuvendit të Maqedonisë për ligjin e gjuhëve duke uruar sa më shpejt miratimin e tij dhe implementimin de fakto të këtij ligji.

Në takimin e sotëm dy homologët ranë dakord të inkurajojnë dhe mbështesin projektet për ndërtimin e linjës ndërlidhëse 400 kv mes Shqipërisë dhe Maqedonisë apo zbatimin e projekteve për zgjatimin e rrugës së Arbërit deri në Shkup, si dhe atë të Korridorit 8, Durrës-Elbasan-Shkup.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, në kuadër të vizitës së tij treditore në Shqipëri, sot do të takohet edhe  me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe liderin e opozitës, Lulzim Basha.

Në delegacionin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë janë edhe deputetët Ejup Alimi, Beti Rabaxhievska – Naumovska dhe Rexhep Memedi.

Nesër, në ditën e fundit të vizitës së tij në Shqipëri, është paraparë që Xhaferi të takohet me zëvendës kryetaren e Qeverisë Senida Mesita dhe të vizitojë edhe Liqenasin, ku do të realizojë takim me minoritetin maqedonas. /Fol/