Kryeministri, Zoran Zaev, nuk ka shpalosur detaje rreth takimit të mbrëmshëm në Vjenë, por ka ripotencuar se dinjiteti dhe identiteti janë shumë të rëndësishëm në negociatat me Greqinë.

“Procesin e udhëheq ndërmjetësuesi Nimic, ai i njeh thelbësisht çështjet që mund të kalojnë, ato që nuk mund të kalojnë tek njëra palë dhe tek tjetra. Mua më vjen mirë që janë prekur të gjitha çështjet e hapura. Nëse nisemi nga shtatë pozicionet fillestare në negociata, tani ato janë ulur në katër pozicione, tre nuk diskutohen më. Me siguri që ato kanë qenë tre pozicionet më të lehta, por janë një sinjal për të dyja palët, se zgjidhja mund të gjendet. Sigurisht që mbeten çështjet e rëndësishme, emri, a do të ndryshohet apo jo Kushtetuta, gjuha e të tjera, por ky është thelbi i procesit negociator, të gjejë mundës për gjetjen e zgjidhjeve. Por, unë vlerësoj se nuk ka nevojë për intervenime në Kushtetutë dhe është e qartë se deri ku mund të bëhen lëshime. Nëse gjendet zgjidhje, fjalën e fundit do ta thonë gjithsesi qytetarët në referendum”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.