Zaev thotë se qëllimi kryesor i parterëve të koalicionit qeveritar është formimi i një shumice më stabile që do të merr vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit, ku vend kryesor zënë procesi reformues dhe ai integrues.

“Biseduam për zgjerimin e koalicionit, duam ta zmadhojmë dhe ta bëjmë më stabile shumicën parlamentare sepse në Maqedoni do të pasojnë vendime serioze, parasegjithash në reforma dhe shpresoj edhe në zgjidhje të problemit me Greqinë, proceset integruese, fonde të hapura, datë për bisedime, ftesa në NATO. Të gjitha këto janë ambicie tona për të cilat punojmë dhe për këtë është e mirëseardhur të kemi shumicë më stabile parlamentare. Gjithsesi pajtohemi, jo në çdo lloj kushtesh, absolutisht, nëse besojmë në atë agjendë dhe në atë program, atëherë është e hapur siç thash të bisedojmë me parti politike, me individ që kanë deputet në Kuvend”, tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Sipas Kryeministrit Zoran Zaev deri më 15 prill do të plotësohen të gjitha vendet vakante në ekzekutiv. Gjatë kësaj periudhe do të tentohet të miratohen edhe të gjitha ligjet reformuese. Madje kjo mësohet të kishte qenë një nga pikat kryesore të takimit të djeshëm me partnerin e tij të koalicionit, Ali Ahmetin.

Zaev tha se në takimin e djeshëm joformal që është zhvilluar në ambientet e Kuvendit e ka njoftuar Ahmetin edhe me arritjet në bisedimet me Greqinë për kontestin rreth emrit. Ndërkaq pjesën më të madhe të kohës tha se e ka kaluar në zyrën e kryetarit të Kuvendit ku me Talat Xhaferin kanë biseduar për agjendën e propozim ligjeve reformuese të cilat duhet të miratohen në Kuvend.