Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev u bëri thirrje për takim liderësh të premten në ora 14, liderëve të partive tjera, njofton Portalb.mk. Ai e thirri Ali Ahmetin nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Ziadin Selën nga Aleanca për Shqiptarët dhe Hristijan Mickoskin nga VMRO-DPMNE.

“Ka mbetur shumë pak kohë deri në tetor kur presim që Komisioni Evropian të na bëjë me dije se duhet t’i fillojmë negociatat aderuese sipas kapitujve me Bashkimin Evropian. Duhet të punojmë së bashku për çështjet e mbetura, të marrim vendime të përbashkëta për të plotësuar kushtet për të filluar negociatat. Pres në takim të krijojmë planin aksionar dhe të vendosim për grupet e punës që do të marrin pjesë në negociatat me BE-në” tha mes tjerash Zaev.

Ai pret marrëveshje për disa pika prioritare për Qeverinë: Ligj të ri për Kodin Zgjedhor dhe model të ri zgjedhor, Ligj të ri për Prokurorinë Publike dhe të vendoset fati i Prokurorisë Speciale, konsenzus për Regjistrimin e popullatës.