zekolli

Zekolli: Lojërat dinake dhe pas shpine, shtrenjtë do ti kushtojnë BESËS.

Analisti dhe ish diplomati i mirënjohur shqiptar Arsim Zekolli, ka komentuar situatën dhe ngjarjet e fundit në Protestën e 9 Majit. Ai në llogarinë e tij në Facebook ka komentuar:

Përmbledhjen më të mirë të protëstës së djeshme të kamofluar nga BESA nën pëlhurën e hollë të Këshillit opozitar dhe përpara hundës së mijëra protestuesve shqiptar që protestuan kundër Gruevskit dhe Ahmetit, dhe jo për BESËN, e lexova në një status të cilin do ta parafrazoj: “BESA e bëri atë, prej së cilës Zaevi nuk mundi të lirohej që prej adresimit të vitit të kaluar më 17 Maj”. Pra, kidnapimi grabitqar i zemërimit të masës dhe egoja partiake për përfitime klanore, është Poshtërsi, pa Eufemizma, Poshtërsi!

Ku të ishte ai fat që dëmi për këtë poshtërsi të ishte vetëm moral dhe kalimtar, dhe jo konkret dhe politik. Siç mund të konkludohet bazuar nga tërbimi i qarqeve diplomatike ndërkombëtare për mashtrimet e këtilla shfrytëzuese, me finta të vogla manipuluese, e bën që uji të shkojë në mullirin e ndërtuar të intrigave dhe zhvlerësimit, që me aq mund e krijoi frymën anti-qeveritare. BESA arriti 5 minutat e famës, të cilat për 20 minuta të sjelljes së pahijshme, gjatë do ta përndjek dhe shtrejtë do ta kushtojë në çdo përpjekje të ardhëshme për të tërhequr për hunde shqiptarët dhe në përgjithësi, qytetarët e këtij vendi.

Shqetësuese ishtë pamja dhe sjellja e çmendur dhe gjakpirëse kundër pranisë së Ziadin Selës në protestë,  që dukej aq dhimbshëm dhe kundërmuese me erë të keqe dhe pandershmëri – skena të tilla janë të njohura nga linçimi integrist ndaj të tjerëve që nuk janë bashkëmendimtar me ata. Kundërshtimi i indit politik-ideologjik të Selës, nuk guxon të jetë pengesë për BESËN, dhe ti hapet llogari për buzëqeshjet e ëmbla përpara kamerave dhe lojërave dinake intriguese pas shpine që pas ngjarjes së djeshme u vendosën në fokus të merituar të zvaritjes së stërzgjatur për shqyrtimin e shpirtit dhe motivit të tyre.

BESA gjithë e më shumë profilizohet si verzioni shqiptar i autokracisë së VMRO-DPMNE-së, si një maskaradë demagogjike të demo-islamit sipas modelit të kuazi-demo-krishterizmit të VMRO-DPMNE-së. Ky konstatim fiton ende më shumë peshë nga vet deklarimet e lidershipit të BESËS që thonë se “koalicionimi me VMRO-DPMNE është shumë i pranueshëm por pa Gruevskin në krye”. Siç duket, është një qëndrim shumë legjitim dhe i pranueshëm, por sikur këtë sëpari ta kishin vendosur në debat publik përpara opinionit dhe jo përpara diplomatëve të huaj.

“Epilogu logjik i çdo ideje që refuzon të piqet, është ta vendosim të piqet”.