Vllatko Gjorçev i VMRO DPMNE-së i cili shpalli kandidaturën për president, shprehet i gatshëm t’i zgjatë dorën shqiptarëve për t’i kërkuar votat e tyre. Gjorçev i cili në opinion shqiptar njihet si njëri ndër eksponentët e protestave kundër Fakultetit të Pedagogjisë në gjuhën shqipe, tani konsideron se Maqedonia është shtet i të gjithve dhe se të gjithë së bashku duhet angazhuar për ta përmirësuar. Gjorçev thotë se shqiptarët janë të dëshpëruar nga Qeveria dhe premtimet e saj.

NGA ANA IME DERA ËSHTË E HAPUR, DORA ËSHTË E ZGJATUR. EJANI TË GJITHË SË BASHKU TË FITOJMË QË MAQEDONIA TË BËHET MË E BUKUR, MË E MIRË DHE MË E SUKSESSHME. DËSHPËRIMI ËSHTË I MADH TEK QYTETARËT, PREMTIMET NUK JANË PËRMBUSHUR, SHQIPTARËT NDJEHET TË ZGJËNJYER. KËTË E VËRTETON EKZODI QË PO NDODH NË RAJONET SHQIPTARE”- POHOI VLLATKO GJORÇEV, KANDIDAT PËR PRESIDENT.

Gjorçev vlerëson se qytetarët e Maqedonisë i ka bashkuar gjendja e keqe ekonomike dhe për këtë arsye duan ndryshim.

MENDOJ SE SHQIPTARËT, MAQEDONASIT DHE TURQIT, POR EDHE KRISHTERËT DHE MUSLIMANËT DUAN NJË NDRYSHIM, QEVERISJE DHE QEVERI MË TË MIRË”- THA VLLATKO GJORÇEV, KANDIDAT PËR PRESIDENT.

Deputeti i opozitës i cili aktualisht është njeriu i vetëm i paraqitur në konkursin e VMRO-DPMNE-së për kandidat për president, pretendon se posedon përgaditjet e duhura për t’u bërë i pari i shtetit, duke shtuar se për  sfidën e tij posedon mbështetjen e shumicës së deputetëve opozitarë dhe anëtarëve të partisë. Ai në këtë kontekst përmend vizitat e tij ndërkombëtare, duke mos harruar që të përmend edhe deklaratat e tij për premtimet e LSDM-së për shqiptarët e që sipas tij nuk janë përmbushur asnjë prej tyre. Për më tepër, Gjorçev natën e përgjakshme të 27 prillit në Kuvend, ishte i pari që për shumicën parlamentare hapi dyert e zyrës për t’i strehuar. Ndërkohë në VMRO vazhdon konkursi i kandidatëve për kryetar shteti. Më 16 shkurt, opozita do të mbaj kongres në Strugë, ku edhe zyrtarisht do të mësohet garuesi i VMRO-DPMNE-së për të parin e shtetit./Alsat/