Koment: Zhurnal

Alternativa në “muaj të mjaltit” po flet për ndarje e përçarje. Pas mbushjes së 100 ditëshit në pushtet i dolën mbi 100 probleme partiake. Partia e cila është pa orientim herë në opozitë e herë në pozitë po përballet me krizë të brendshme partiake. Alternativa një muaj pas uljes në tavolinë me krerët opozitar për rrëzim të Qeverisë, ia zgjati jetën të njëjtës Qeveri duke u bërë bashkë me ata të cilët tentoi t’i rrëzojë. Por kur dështuan opozitarët në rrëzimin e Qeverisë, Alternativa zgjodhi të jetë pjesë e Qeverisë, me çka u kuptua që halli i kësaj partie nuk është se kush do të jetë në krye të Qeverisë por si të jenë edhe këta pjesë të cilës do Qeveri, shkruan Zhurnal.

Alternativa parti politike shqiptare e cila aktualisht është pjesë e pushtetit, po përballet me “tërmet” të brendshëm, ku pa grup të zjarrit po rrezikohet nga një flakë e cila do ta djeg deri në palcë. Ishte në koalicion opozitar me Aleancën për Shqiptarët nga zgjedhjet e fundit parlamentare me marrëveshje të nënshkruar që koalicioni të vlejë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por ja që pushteti e joshi këtë parti dhe kreu i Alternatives, Afrim Gashi, shkeli mbi këtë marrëveshje dhe u fut në qeveri.

Populli nuk e kishte zgjedhur që kjo parti të qeverisë me vendin meqë si në zgjedhjet parlamentare që kishte vetëm 4 deputet falë koalicionit me ASH-në, në zgjedhjet lokale nuk arriti të fitojë asnjë kandidat i kësaj partie në komunat që kishin garuar. Por çuditërisht kjo parti pa çka se populli se kishte votuar, këta vet vendosën që të udhëheqin me institucionet e shtetit. Madje duke vendosë edhe figura që kanë humbur në zgjedhje lokale.

Kjo i bie që kjo parti u bë “kurban” shpëtimi të Qeverisë e cila ishte e rrëzuar por sërish u ngjall, falë kësaj partie. Alternativa shpëton Qeverinë edhe nëse e djeg veten.

Në publik janë shfaqur si një alternativë e re për popullin në praktikë e dëshmuan se janë alternativë e Qeverisë kur është nevoja për shpëtim nga rrëzimi. Alternativa gabim në hapa ka bërë në momentin që u bë pjesë e Qeverisë, pasi të njëjtën kishte tentuar ta rrëzojë duke vlerësuar se kjo qeverisja është e keqja e vendit e në dëm të popullit, e çuditërisht një muaj më pas bëhet pjesë e së njëjtës Qeveri. Si ka mundësi para një muaji të jetë qeverisje e keqe që duhet rrëzuar, e pas një muaji të bëhet e qeverisje e mirë që duhet ndihmuar?

Ajo që po e prish rahatinë e kësaj partie në Qeveri janë plasaritjet përbrenda partisë të cilat sipas Skender Rexhepit, njëri nga themeluesit e partisë, flet edhe për fundosje e shkatërrim total, nëse nuk ndryshohet mendësia.

Përderisa Alternativa publikon ditë me radhë punët që kanë bërë të emëruarit e tyre në krye të detyrave që janë, duke e cilësuar si të suksesshëm 100 ditshin në Qeverinë e Kovaçevskit, nuk mendon njëjtë edhe deputeti i kësaj partie Zejdi i cili tha se në 100 ditët e para nuk u realizua asnjë nga pikat që kishte në program Alternativa kur u bë pjesë e Qeverisë, që nënkupton se ka konfirmuar dështimin e partisë së tij.

“Alternativa u bë pjesë e qeverisë për arsyet që kishte në program dhe jo për postet politike që mori. Por, për fat të keq 100 ditshi nuk solli asnjë ndryshim në qeveri. Asnjë nga pikat e programit të Alternativës nuk u plotësua në 100 ditët e para. Në 100 ditët e para, ministrat e Alternatives mund ta ngrenin zërin për rastet e montuara politike, deri tani s’ka përgjigje pozitive”, ka thënë Zejdi në “ClickPlus” në TV21.

Sipas tij, nëse vazhdon kështu Alternativa më mirë ta braktisë qeverinë. “Alternativa s’ka pse qëndron në Qeveri nëse nuk realizohet premtimi programor për rastet e montuara politike, njerëzit mbajnë shpresë”, thotë Zejdi.

Mes tjerash ai nuk e përjashton edhe mundësinë e largimit të tij nga Alternativa.

“Nuk është asgjë e pamundshme edhe me dalë nga Alternativa. Kur shterret energjia në një subjekt mënyra më e mire është largimi nga ai subjekt politik”, përfundoi Zejdi.

Deklaratat e fundit të deputetit të Alternatives që është edhe njëri nga themeluesit e partisë, pak ditë para kongresit të partisë, janë tregues i qartë se problemet brenda partiake nuk janë vetëm të tilla sepse tani më kanë dalë jashtë partisë.

Kujtojmë se, Alternativa është pjesë e skenës publike si parti politike nga fraksioni me Lëvizjes Besa, parti politike e cila ishte themeluar nga të njëjtit akterë politik, por për shkaqe ende të pa njohura për publikun me akuza e kundër akuza u ndanë në dysh.

Ndryshe, pas zgjedhjeve lokale në vend të vitit 2017 në Lëvizjen Besa filluan përçarjet në kryesinë e partisë, duke u ndarë në dy krahë që udhëhiqeshin nga Afrim Gashi dhe Bilall Kasami. Ata të dy pretendonin se janë kryetarë të kësaj partie, pasi kishin marrë mbështetje në dy kongreset që u organizuan ndaras.

Pas përçarjeve në këtë parti, çështja arriti deri në Gjykatën e Apelit, prej ku disa herë është raportuar se ky institucion ka marrë dy vendime të kundërta. Në njërin thuhej se kryetar i partisë “Lëvizja Besa” është Bilall Kasami, ndërsa në tjetrin kryetar është Afrim Gashi.

Dhe në fund u vendos që emri, logoja e vulat e partisë t’i takojnë krahut të Kasamit, me çka Afrim Gashi me strukturën e tij u detyrua të themelojë subjekt të ri politik të quajtur Alternativa./Zhrunal.mk