Ata më thonin, do të të vrasin!

Liridona Vejseli

Liria e mediave në Maqedoni këtë vit shënoi progres, por përsëri vendi ynë ngel vend “pjesërisht i lirë” në vlerësimet ndërkombëtare. Regjimi diktatorial që sundoi me vendin dekadën e kaluar, ka lënë pasoja dhe tejkalimi i tyre rezulton të jetë i ngadaltë dhe i vështirë.

Akoma nuk është zbuluar misteri për vdekjen e gazetarin Nikolla Mlladenov. Dilema nëse ai është vrarë nga regjimi, ose vdekja e tij ishte vetëm pasojë e një aksidenti, vazhdon të rëndojë mbi fjalën e lirë. Ende është e freskët ngjarja kur gazetari Tomislav Kezharovski filloi te hulumtojë këtë “aksident trafiku” por së shpejti pas kësaj, u burgos me 4 vite e gjysëm burg. Me të u burgos edhe fjala e lirë në Maqedoni. Maqedonia u bë shembulli i pare në Evropë se si burgoset një gazetarë dhe vazhdoi t’i tregojë botës se si burgoset liria e fjalës.

Këtë vit sipas Freedom House, vendi ynë ka shënuar progres për dy numra, sa i përket lirisë së shtypit, por kjo rritje nuk e bën Maqedoninë një vend më të përshtatshëm për raportim.

Një pjesë e madhe e mediave, funksionojnë mbi parimet e censurës, ca të tjerë nëpërmjet autocesnurës që bëjnë vetë gazetarët për arsye personale.

Media në Maqedoni, vuan nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta politike, nga trysnia financiare dhe pronësia e përqendruar. Gazetarët që kritikojnë partinë në pushtet , shpesh akuzohen si “tradhëtar” ose “përkrahës të një partie tjetër”.

Nëse pyeteni “A është e vështirë të funksionosh si gazetarë në Maqedoni?!”, përgjigjja është: “Po. Jashtëzakonisht e vështirë!”

Si gazetarë përballesh me mbylljen e institucioneve, me presionin e pushtetit, ndaj bizneseve, kërcënimeve direkte dhe indirekte nga klane të ndryshme të interesit.

E kur flasim për kërcënimet, në këtë pjesë mund të ndalem pak.

Kur fillova me gazetari investigative të gjithë më dekurajonin për ta bërë këtë punë. Më thonin se të jesh kritik ndaj pushtetit dhe pushtetarëve është e rrezikshme dhe mund të të kushtojë jetën. Një ndër temat e para që unë punova dhe që nuk ishte më parë në Maqedoni, ishte tema “Ku është shtabi i xhihadistëve?”. Një temë e ndjeshme, e pathënë dhe me shumë mistere përbrenda, por për të cilën fajin kryesorë pse vendi ynë është në atë gjendje, e ka pikërisht shteti, Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, dhe këtë nuk duhet të ngurrojmë ta themi hapur. Të gjithë më thonin se do të më vrasin dhe nuk do të mund të kthehem më në shtëpi. Por e vërteta sado e frikshme që të jetë, ngelet gjithmonë e vërtetë.

Rasti tjetër, kur iu bë censurë emisionit nën titull “Alfa” që ju tani më të gjithë e dini, nuk është asgjë më shumë se reflektimi i realitet të vërtetë në mediat tona. Pas publikimit të atij emisioni kam pasur kërcënime të ndryshme, por ajo që më ka lënë më shumë përshtypje është telefonata nga kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, Naser Selmani, i cili më tha se “familjarët e policit të vrarë kërkojnë që të largohet videoja e publikuar nga vrasja, sepse është shumë i hollë dallimi në mes interesit publik dhe shkeljes që mund të kesh bërë ti”. Nuk rreshtën së kërkuari në telefon, njerëz të cilët u ishte cënuar interesi! Kërcënime pafund. Por edhe përkrahje të papërshkruajshme për guximin për të zbardhur një të vërtetë.

Sot, gazetaria në Maqedoni po lufton me “fake news”-in dhe me spekulimin. Ajo është e pambrojtur, e papaguar, por e guximshme. Nën trysni të madhe për të mbajtur ndonjë anë. Anën e parasë.

Ndërsa gazetaria hulumtuese, ajo po lufton për të mbijetuar. E papërkrahur nga askush dhe e shantazhuar nga të gjitha anët. Pa financa, pa mjete pune, pa ekipe të guximshme. Temat e shumta në Inboxin tim, po presin rradhë që smartphoni im dhe unë të luftojmë për drejtësinë. Edhe pse me cilësi të dobët teknike, jam e bindur se hallet e njerëzve dhe lotët e tyre depërtojnë deri në destinacionin e duhur. Tek ju, të nderuarit e mi. Ju jeni satisfakcioni i punës sime investigative.

Ndjenja e të ndihmuarit dikë që i janë shuajtur shpresat për drejtësinë, është më e shtrenjtë se gjithçka tjetër. Unë nuk do të ndalem, pa marrë parasysh sfidat që dalin në këtë rrugëtim. Urime Dita e fjalës së lirë!

SHPËRNDAJE