Në shumë vende të botës 1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Në Shqipëri festohet por në shumë vende të tjera, klasat punëtore protestojnë.

Përse ndodh kjo?

Paradat dhe demonstratat gjatë festës së 1 Majit nisën në Amerikën e Veriut. Kjo pasi Revolucioni Industrial solli makineri të reja që punonin pareshtur, dhe si pasojë pronarët e fabrikave kërkonin që punëtorët të punonin të paktën 16 orë në ditë, përveç të dielave.

 

Për të përmirësuar jetën e tyre, një federatë punëtorësh e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, kërkoi që dita e punës të bëhej 8-orëshe, duke filluar nga 1 Maji i vitit 1886.

Pjesa më e madhe e punëdhënësve nuk ranë dakord, dhe si pasojë më 1 Maj, mijëra punëtorë hynë në grevë.

Njerëzit e parë që humbën jetën sepse përkrahën lëvizjen punëtore në Shtetet e Bashkuara, vdiqën në kryengritjen e Haymarket të Çikagos, Ilinois. Punëtorët në Angli, Francë, Holandë, Itali, Rusi dhe Spanjë u bashkuan me ta.

Në vitin 1889, në Paris u mbajt një kongres i partive socialiste të të gjithë botës, dhe e shpalli 1 Majin e vitit 1890 ditën ndërkombëtare të demonstratave në mbështetje të kërkesës për t’i pasur ditët e punës 8-orëshe. Që nga ky vit, në ditën e 1 Majit punëtorët ngriheshin për të kërkuar të drejtat për kushte më të mira pune.

Kjo festë ka qenë përherë një festë popullore. Punëtorët e kanë bërë pushim atë ditë, pavarësisht nëse punëdhënësit e tyre kanë qenë dakord ose jo.