Ministri në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë për Marrëdhëniet me Diasporën, Edmond Ademi, nesër do të niset për një vizitë zyrtare dyditore në Mbretërinë e Bashkuar, përcjell Fol.

Gjatë qëndrimit në Londër, siç njoftojnë nga kabineti, nesër Ademi do të realizojë takim me Drejtoreshën e EJ nga Zyrja e Jashtme, Fiona Mek Iluham.

Gjithashtu, Ministri do të takohet edhe me kryetarin e komunës së Uandsuorth, Lesli MekDonel, një komunë ku jetojnë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Maqedonisë.

Pasditen e nesërme ministri Ademi do të vizitojë komunën në Litëlhampton në qytetin Brighton dhe do të takohet me qytetarët e Republikës së Maqedonisë të cilët jetojnë në atë qytet.

Më 26 tetor Ademi do të takohet me Ministrin e Europës “në hije” në Partinë Laburiste, Khalid Mahmud, ndërsa pasdite do të vizitojë ekspozitën e terrakotës nga Vinitsa në Muzeun Ashmolean në Oksford.

Ministri Ademi do të takohet me kryetarët e shoqatave të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe do të marrë pjesë në pritjen e përfaqësuesve të Diasporës e organizuar nga Ambasada e Republikës së Maqedonisë. /Fol/