ismet-ramadani-3-640x427

Ish deputeti, Ismet Ramadani ka adresuar kritika të fuqishme ndaj dy partive shqiptare të cilët marrin pjesë në bisedimet e Përzhinos për t’i dhënë fund krizës politike. Ramadani për Zhurnal shprehet se dy partitë shqiptare, BDI dhe PDSH gjatë gjithë kohës kur janë realizuar negociatat më tepër ju kanë ndihmuar partive politike maqedonase se sa i kanë imponuar kërkesat e shqiptarëve. Ai shprehet se shqiptarët e kanë një shans historike që tani t’i imponojnë kërkesat e shqiptarëve, siç është zyrtarizimi i gjuhës shqipe dhe çështje tjera të hapura dhe të rëndësishme për shqiptarët. Por Ramadani thotë se BDI dhe PDSH ju bën shërbim vetëm partive maqedonase dhe faktorit ndërkombëtarë, dhe assesi nuk artikuluan kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë.

“Meqë nuk ka pasur çështje që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me pozicionin e shqiptarëve është fituar një përshtypje se roli i partive shqiptare ka qenë pozitiv apo konstruktiv në bisedimet politike që janë zhvilluar në Përzhino. Mirëpo, këta konstruktivitetin e tyre e kanë dhënë në zgjidhjen e kontestit mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, që do të thotë derisa nuk kanë pasur ndonjë rol vendimtar që është varur prej tyre sesi do të zgjidhej kriza mendoj se konstruktiviteti i tyre më shumë i ka shërbyer të themi ndërkombëtarëve për ta menaxhuar tërë këtë krizë apo për të gjetur mundësi për ta zgjidhur atë. Ndërsa në drejtim të gjetjes së zgjidhjes për çështjet shqiptare partitë dhe liderët shqiptar nuk kanë dhënë asnjë kontribut dhe me një fjalë mund të thuhet se ata kanë qenë autsajder në krejt procesin e bisedimeve në Përzhino”, ka deklaruar Ramadani.

Ai thotë se dy partitë shqiptare kanë pasur qasje të gabueshme gjatë pjesëmarrjes së tyre në bisedime, për shkak se nuk arritën të përfitojnë asgjë për shqiptarët.

“Që kur ka filluar kriza politike un mendoj se qasja e partive politike shqiptare në bisedime ka qenë e gabueshme sepse ato u involvuan në një krizë, e cila ndodhi mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së dhe kuptohet se kriza e përfshiu edhe atë pjesën që ka të bëjë me kriminalizimin e shoqërisë dhe kapjen e institucioneve nga pushteti apo Qeveria ku rolin kryesor e kanë pasur Nikolla Gruevski dhe klika e tij. Mendoj se liderët e partive politike shqiptare në bisedime paralele me përpjekjet për ta zgjidhur krizën duhej të insistonin që ti shtrojnë çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët me qëllim që të dilet nga kriza ashtu si duhet”, deklaroi Ismet Ramadani, transmeton agjencia e lajmeve Zhurnal./zhurnal.mk