Samir Ibrahimi, muzicienti dhe bateristi tetovar po ecën hapave të babait të tij Besim Ibrahimi, bateristi i grupit të mirënjohur “Elita 5”.

Ai po vijon formësimin e tij universitar nën përkujdesjen e mentorit të tij, m-r Mojca Sedeu. Samiri po përkujdeset edhe për ushtrimin e talentëve për instrumentin e baterive, ku nuk po mungojnë rezultatet.

Samiri dhe dy talentët që po i ushtron Andi Musliu dhe Leart Misimi kanë arritur që të shënojnë rezultate të shkëlqyera në Festivalin e parë ndërkombëtarë të instrumenteve muzikore që muajin e kaluar u mbajt në Shtip, duke fituar vendet e para.

Në këtë festival të organizuar nga qendra shkollore shtetërore e muzikës “Sergej Mihajlov” në Shtip, garat u zhvilluan në 15 kategori ku nxënësit prezantuan talentin e tyre në instrumente muzikore dhe solo këndim. Garues në këtë festival ishin mbi 180 konkurrent të lajmëruar, ku në instrumentin bateri më të mirët dolën mentori Samir Ibrahimi, si dhe dy talentët Andi Musliu dhe Leart Misimi.

Samiri thotë se nuk kanë të ndalur këtu dhe se vijon rrugëtimi dhe formësimi profesional i tij, por edhe përkushtimi tek talentët që në të ardhmen të jenë muzicientë të suksesshëm dhe me karrierë. (INA)