Dy aksidente trafiku me dy këmbësorë minorenë të lënduar kanë ndodhur dje dhe sot në Tetovë, informoi zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski.

Sipas të dhënave të tij aksidenti i pari ka ndodhur dje në mesditë në rrugën “Goce Dellçev” në Tetovë me ç’rast automjeti “golf” me targa të Tetovës të cilin e ka drejtuar I.S. (29) nga f.Llavcë ka shtypur një fëmijë dyvjeçar.

“Nga përplasja fëmija ka marrë lëndime trupore dhe me të njëjtin automjet është dërguar në spitalin klinik të Tetovës, i është dhënë ndihmë mjekësore dhe është lëshuar në mjekim shtëpiak. Vërtetohet shkaku dhe gjithçka tjetër e ndërlidhur me këtë aksident”, tha Josifovski.

Rasti i dytë është regjistruar mëngjesin e sotëm në ora 7 e 20 minuta në rrugën 151 në Tetovë. Vetura Reno Megan e drejtuar nga R.B. (67) nga Novosella e Tetovës ka shtypur një fëmijë vajzë 13-vjeçare nga Tetova, e cila ka marrë lëndime trupore. Ajo është dërguar në spitalin klinik të Tetovë, ku pas dhënies së ndihmës mjekësore është ndaluar për mjekim. Sipas të dhënave të para nga ekspertiza në vendin e fatkeqësisë është konstatuar shpejtësia jo e përshtatshme.