Nga kabineti i presidentit Gjorge Ivanov, tani për tani nuk ka asnjë reagim për propozim programin e qeverisë të prezantuar nga LSDM-ja opozitare. Alsat M pyeti, por nuk mori përgjigje nëse Ivanov pajtohet me qëndrimin e Zaevit se brenda dhjetë ditëve duhet t’ia japë atij mandatin, si dhe cili është vlerësimi i Presidentit në lidhje me përmbajtjen e programit.

Derisa nga Presidenca nuk ka njoftime si do të veprojë Ivanovi, LSDM-ja vlerëson se shteti nuk mund të mbetet pa qeveri për shkak të krimeve të VMRO-DPMNE-së.

 VMRO-DPMNE-ja është një peshk në të thatë. Kriminelë nga rrethi i kësaj partie ikin nga shteti. Udhëheqësia është e frikësuar nga përgjegjësia për pasurim në mënyrë të paligjshme për shkak se e shohin fundin. Gënjeshtrat e tyre janë zbuluar. Qytetarët e kanë para vetes programin e Qeverisë së re, me masa për nevojat e tyre elementare dhe garanci për ruajtjen e karakterit unitar të shtetit në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Nga këtu i vetmi që e shkel Kushtetutën është Gjorge Ivanovi, i cili e ka për obligim që menjëherë ta jap mandatin për Zaevin, i cili siguroi 67 firma të deputetëve për formimin e Qeverisë – thanë nga LSDM-ja.

Nga ana tjetër VMRO-DPMNE-ja përsëriti vlerësimin se programi qeveritar i LSDM-së, nuk e përjashton Platformën e përbashkët të shqiptarëve.

 Manipulimi i fundit i Zaevit të falur është se ekspertët e LSDM-së dhe BDI-së do të tregojnë se nuk do të ndryshojnë kartëmonedhat, himni, stema. Ata do të tregojnë nëse do të ndryshojnë uniformat dhe nëse do të dënohet gjenocidi. Zoran Zaevi i falur vetëm do të nisë debate për të gjitha çështjet e interesit kombëtar dhe shtetëror – deklaroi Orce Gjorgjievski- VMRO-DPMNE. LSDM-ja është kundërpërgjigjur duke theksuar se VMRO-DPMNE-ja, përmes deklaratave të tilla po përpiqet të mbrohet nga përgjegjësia penale. Sipas kësaj partie vetëm VMRO-ja ka nevojë të shtiret se nuk e sheh programin e qeverisë së re, sepse kryesia e partisë ka nevojë që ta thellojë krizën politike.  Partia e Zaevit një ditë më parë e prezantoi programin qeveritar, që parashikon një ligj të ri për përdorimin e gjuhës shqipe, i cili do ta zgjerojë përdorimin e saj. Nga ana tjetër, Zaev tha se përdorimi nuk do të zgjerohet në uniformat e policisë dhe ushtrisë dhe kartëmonedha. Këtij hapi i parapriu refuzimi i Presidentit Ivanov që t’ia japë mandatin Zaevit, pavarësisht 67 nënshkrimeve të deputetëve. Vendimin e tillë Ivanovi e arsyetoi me afatet e kontestuara të procedurave, por edhe për shkak të “platformave të huaja”./Alsat-M/