Kriza nuk do të përfundojë pas zgjedhjeve, por do të përfundojë atëherë kur institucionet do ta kthejnë integritetin dhe do të punojnë në interes të qytetarëve, dhe jo për interesa private.
Ky është mendimi i Institutit për demokraci. Ata thonë se Maqedonia jeton në konceptin e “Shtetit të robëruar” dhe për aq kohë sa gjyqësori dhe institucionet janë në kthetrat e politikës, vendi nuk do të jetë në gjendje ta luftojë korrupsionin. 480 mijë qytetarë në vit japin ryshfet për të kryer ndonjë punë administrative. Për shkak të mosbesimit në institucionet dhe mos zbatimin e Ligjit të informatorëve, gjithnjë e më pak qytetarë denoncojnë raste të korrupsionit.

“Në rast kur një politikan aktual, është në pushtet edhe atë në nivel të lartë, do të akuzohet, pastaj do të dënohet me gjykim të drejtë për korrupsion, kjo mund të ndikojë në inkurajimin e qytetarëve”, tha Misha Popoviq, Instituti për Demokraci.

“Do të forcohet besimi në sistemin, do të forcohet besimi në institucionet nëse ka procedura efektive kundër atyre që ndërmarrin veprime korrupsioni”, tha Sllagjana Taseva, Transparency International.