Përfaqësuesit e Aleancës për Shqiptarët dhe BDI-së harmonizuan qëndrimet rreth Ligjit të ri për gjuhën shqipe që duhet të pranojë mandatari për formimin e qeverisë në këmbim të mbështetjes së partive shqiptare. Tryeza e përbashkët përfundoi me dy konkluza, ndërsa në të nuk morën pjesë kreu i Lëvizjes BESA Bilall Kasami dhe ai i PDSH-së Menduh Thaçi. Lideri i LR-PDSH-së, Zijadin Sela pas takimit tha se vetëm nënshkruesit e Platformës së Përbashkët mund të japin propozime të pranueshme, ndërsa çdo propozim për shqiptarët që del nga partitë maqedonase, konsiderohet i papranueshëm.
E para është se nënshkruesit e Deklaratës obligohen që në afat prej tre ditësh të emërojnë nga dy anëtarë të komisionit të cilët do të merren me krijimin e rregullores, ndërsa e dyta është harmonizimi i qëndrimeve rreth ligjit për gjuhën shqipe, të cilin e kemi përgatitur ne – tha Zijadin Sela, Aleanca për Shqiptarët.
Ligji për të cilin diskutojnë Aleanca dhe BDI, sipas Selës, do të bëhet publik atëherë kur të jetë gati që të debatohet mbi të. Sela tha se takimet e radhës të tryezës me shumë gjasa do të mbahen në Parlamentin e Maqedonisë. Ai pret që së shpejti tryeza e përbashkët e partive shqiptare do të ketë edhe rregulloren, ndërsa shpreson se në takimin e radhës do të marrin pjesë të gjitha partitë politike parlamentare.
Partitë politike shqiptare do ta përpilojnë edhe rregulloren për funksionimin e partive të cilat janë nënshkrues të deklaratës – deklaroi Zijadin Sela, Aleanca për Shqiptarët.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti pas takimit nuk dha deklaratë për mediat. Ky ishte takimi i dytë i partive shqiptare nënshkruese të Platformës së përbashkët në të cilën Lëvizja Besa refuzoi të merr pjesë për shkak se, siç informuan, nuk ulen në takime që nuk janë në frymë të Deklaratës së Përbashkët.