Ok, në këtë prag festash, ndoshta nuk është kjo gjetja më e mirë, por megjithatë është përgjigje shkencore. Të gjithë mendojnë në mëngjes para se të dalin nga shtëpia: “Ҫfarë të vesh që të dukem më e zgjuar me veshjen time? Si të dukem më inteligjente dhe më intelektuale?”

Një studim britanik i vitit 2015 ka zbuluar se është një ngjyrë që i bën njerëzit të mendojnë se je më inteligjente. Mund ta gjesh se cila është?

 

Ki durim…. Përgjigjja është ngjyra e zezë! Më shumë se 1000 persona janë bërë pjesë e studimit, meshkuj dhe femra, të cilët kishin veshur ngjyra nga më të ndryshmet, duke filluar që nga ato pastel e deri tek më të fortat e më të errëtat. Studiuesit zbuluan se njerëzit që ishin veshur me të zezë të jepnin përshtypjen se ishin më inteligjentë se pjesa tjetër. Rezultatet varionin që nga më “seriozet” deri tek më “të ndezurat”, duke filluar me të zezën, që ndiqej nga bluja, e bardha, e gjelbra, lejla, kafe, e kuqe, e verdhë, portokalli dhe pink.

Kështu, sipas studiuesve, mos u ndiej keq nëse vishesh gjithmonë me të zezë. Ka të paktën një të mirë.