Për herë të parë në e-mailin zyrtar të Televizionit Alsat M, arrin një komunikatë për media në gjuhën shqipe nga një parti kryesisht maqedonase, siç është LSDM-ja. Ky fakt ka ngjallur interes tek njohësit e komunikimit politik, të cilin edhe pse të vonuar, e cilësojnë si një hap të qëlluar. Për komunikologun, Sefer Tahiri, të gjitha partitë politike në vend, duhet që komunikimin e tyre zyrtar ta zhvillojnë në gjuhën përkatëse të institucioneve, duke përfshirë këtu edhe mediat.

“LSDM-ja ka target edhe shqiptarët dhe është krejtësisht normale që një parti politike e cila targeton shqiptarët t’u drejtohet atyre në gjuhën shqipe. As LSDM-ja, as VMRO-DPMNE-ja dhe asnjëra nga partitë politike maqedonase nuk mund ta pengojnë një proces të natyrshëm, sepse shqiptarët jetojnë këtu, gjuha e tyre është kategori kushtetuese dhe në një farë mënyrë komunikimi politik dhe ai në marrëdhëniet me publikun, jo vetën që duhet të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe por gjithë komunikimi institucional dhe zyrtar duhet të jetë në gjuhën shqipe, prandaj vlerësoj se këto janë hapat e parë drejt asaj çfarë synohet, pra që një ditë gjuha shqipe të jetë zyrtare tërësisht në Maqedoni”, deklaroi komunikologu Sefer Tahiri.

Ndërkaq, Petar Arsovski mendon se me një hap të tillë LSDM-ja vetëm se kryen një detyrim që ka ndaj qytetarëve të këtij shteti, ku me këtë hap as fiton e as humb shumë nga pikëpamja politike.

“Në thelb është për t’u përshëndetur sepse tregon se LSDM-ja përkundër qëndrimeve deklarative për ndonjë politikë autentike ndaj shqiptarëve, atë e përkthen edhe në praktikë. Në kuptimin protokollar unë nuk shoh këtu asnjë problem për shkak se sikur në Maqedoni do të kishte media angleze, partitë do të duhej t’u dërgonin atyre komunikata në gjuhën angleze. Nga ky hap, në zgjedhje kjo parti as mund të humbë e as të fitojë shumë. Nuk mund shumë të fitoj sepse ne fatkeqësisht akoma jemi në një fazë ku votimi i pastër qytetar nuk është shumë prezent dhe akoma linjat janë të ndara në baza etnike. Nga ana tjetër nuk do të humbë sepse përkrahësit e saj kanë një lloj politike liberale në raport me shqiptarët dhe nuk do ta braktisnin partinë për një gjë të tillë”, tha komunikologu, Petar Arsovski.

Tahiri dhe Arsovski vlerësojnë se të gjithë partitë politike ne vend, në zyrat e tyre për Marrëdhënie me Publikun duhet të kenë të punësuar persona të të gjitha komuniteteve me të cilat duhet të komunikojnë. Kjo nisme e LSDM-së vjen pas pohimeve të Zoran Zaevit se askush nuk duhet të ketë frikë nga përdorimi më i gjerë i shqipes dhe se kjo gjuhë duhet të praktikohet në përputhje me kushtetutën./Alsat-M