Disa nga shitësit në Tregun e Gjelbër në Tetovë tashmë kanë vendosur që të mos punojnë gjatë këtyre temperaturave të ulëta, shkruan gazeta Koha. Shumë tezga janë të mbyllura, kurse ata që punojnë janë vetëm disa shitës për veshmbathje dhe janë të paktë ata që kanë vendosur të sfidojnë të ftohtin. Pavarësisht temperaturave të ulëta ata kanë vendosur që të punojnë për të nxjerrë kafshatën e gojës. Ata ankohen se nuk ka asnjë kusht elementar për të ushtruar veprimtarinë e tyre, kurse nga ana tjetër ka shumë pak blerës.

 

“Është shumë ftohtë, i mbulojmë me batanije disa produkte që kanë ngelur për t’u shitur. Disa ngrinë në këto temperatura të ulëta, tregu është i hapur gjithandej. Ne kemi dalë se nuk kemi nga t’ia mbajmë, nuk kemi zgjidhje tjetër, rrimë më shumë se 10 orë dhe nuk ka blerës. Nuk mund të nxjerrim harxhimet ditore që i kemi vet si shitës, kurse as që bëhet fjalë për ndonjë fitim. Mezi arrijmë të sigurojmë të paguajmë qiranë këtë muaj”, thotë Bedri Serjani, shitës në tregun e gjelbër në Tetovë.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë, Xhelal Ceka, thotë se kushtet janë ato që janë dhe për të bërë ndonjë treg të izoluar duhen shumë mjete, ndërsa edhe nëse vendoset që të bëhet një gjë e tillë, atëherë do të duhej të ndërtohej një treg i mbyllur, sepse destinimi i këtij aktual është treg i hapur që në kushte tjera klimatike ka edhe përparësitë e veta.

“Tregu që kur është ndërtuar është destinuar si treg i hapur, pra nuk është treg i mbyllur. Normalisht kjo krijon probleme gjatë kësaj periudhe, kurse ne brenda mundësive tona u ofrojmë kushte. Nuk ka ndonjë plan për mbylljen apo izolimin e këtij tregu, por në plan është që në të ardhmen të ndërtohet treg i mbyllur, kurse sa do të realizohet një gjë e tillë, mbetet të shihet”, thotë Xhelal Ceka, drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova- Tetovë.

Ndryshe, gjithsej në këtë treg ka 319 tezga, prej të cilëve 50 janë të lira. Në ndërkohë ka edhe pakënaqësi nga shitësit që operojnë brenda tregut dhe paguajnë qira, për shitësit jashtë tregut.